Beleri sulmon Shqipërinë/ Flet si eurodeputet i Greqisë në Parlamentin Europian

BOTA


Nga qelia në Parlamentin Evropian. Fredi Beleri mbajti të hënën fjalimin e tij të parë si eurodeputet i partisë të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.

Nga podiumi i Strasburgut Beleri hodhi akuza të forta ndaj Shqipërisë, duke thënë se me veprimet e ndërmarra Tirana  po largohet edhe më shumë nga rrugëtimi për në union.

Beleri tha para eurodeputetëve se situata aktuale në Shqipëri tregon se si reformat mund të kthehen në ‘bomba totalitare’.

“Fatkeqësisht, ky vend po largohet vazhdimisht nga Evropa, në vend që t’i afrohet asaj. Situata aktuale në Shqipëri tregon se si reformat mund të kthehen lehtësisht në “bomba totalitare” mbi themelet e një shteti demokratik. Kjo u bë edhe me reformën në drejtësi të financuar, edhe nga burimet evropiane. Qeveria shqiptare e ka bërë shpesh krahun e saj Gjyqësor, gjë që e bëri jo vetëm në rastin tim, por edhe kreut të opozitës zyrtare”, tha ai.

Sipas Belerit bashkimi evropian po rrezikon të humb vlerat e tij, pasi po shtohet ndjenja antievropiane te qytetarët shqiptarë.

“Dhe Bashkimi ynë tani përballet me një oksimoron. Sa më e sigurt të konsiderohet mbështetja e saj për lidershipin e zotit Rama, aq më e fortë bëhet ndjenja antievropiane tek qytetarët e vendit. Në Ballkanin Perëndimor, respekti ndaj Evropës duhet të jetë mënyra e vetme për anëtarësimin e shteteve kandidate. Çdo tërheqje do të nënkuptonte automatikisht humbjen e vlerave tona të përbashkëta”, shtoi ai.

Me 2 shtator, Gjykata e Shkallës së Parë në Fieri pranoi kërkesën e Fredi Belerit për lirim nga burgu me kusht. Ai qëndroi në qeli për më shumë së 1 vit e gjysmë për vjedhje votash.



Skip to toolbar