Gazeta “Brussels Time” ka publikuar historinë e veçantë të Denis Hacquin. Shtetasit belg iu vodh biçikleta elektrike në Bruksel dhe e gjeti atë në Fier. Banori i Brukselit e zbuloi falë një aplikacioni se biçikleta e tij u lokalizua fillimisht në Budapest e më pas destinacioni i fundit ishte Fieri i Shqipërisë.
I nervozuar nga vonesat e policisë për të zgjidhur hallin e tij, Denisi vendosi të kontaktonte vetë me shqiptarët përmes një postimi në forumin Reddit. Në postimin e tij u mblodhën më shumë se 100 komente, me shqiptarë që i sugjeruan të kontaktonte me ministrinë e Brendshme Shqiptare, por fillimisht ai i bëri tag kryeministrit Rama në Twitter ku përmes një statusi i kërkonte ndihmë. “Edi Rama Përshëndetje, unë po përpiqem të marr ndihmë ose të lidhem me autoritetet për të rikuperuar një e-bike që u vodh në Belgjikë dhe që ka vendndodhjen aktuale në Fier. Çdo lloj ndihme ose udhëzimi do të vlerësohej jashtëzakonisht shumë”, shkruante Denisi.
Vetëm një ditë pas këtij postimi ai e gjeti biçikletën dhe nuk ka hezituar të falenderojë autoritetet shqiptare për ndihmën e dhënë.
“Unë dërgova një e-mail dhe një ditë më pas ata gjetën biçikletën time. Biçikleta u gjet nga autoritetet në Fier falë aplikacionit Find my biçikletë dhe me ndihmën e jashtëzakonshme të zëvendës ministres së brendshme Romina Kuko. Kjo e fundit ka qenë shumë ndihmuese dhe e përgjegjshme”, shprehet më pas Denisi. Në postimin e radhës Denisi njoftoi se biçikleta e tij do të niset drejt Belgjikës.