Një operacion i madh ndërkombëtar u ndërmor paralelisht si në Itali ashtu edhe në Shqipëri ku në Durrës u arrestuan tre persona që kërkoheshin nga Italia pasi rezultonin të dënuar për trafik droge, ndërkohë që të tjera detaje dalin në pah në lidhje me të arrestuarit në fjalë.
Ata bënin namin në Itali me drogë dhe me prostituta ndërkohë që një njëri prej tyre njihej me pseudonimin babale.
Bëhet fjalë për Florenc Meman 30 vjeç që njihet si babalja i miqve, i apasionuar pas orëve të shtrenjta Breitling.
Bashkë me Florenc Memën në pranga kanë rënë Luan Bodlli dhe Demokrat Çizmja. Që të tre akuzohen se kanë trafikuar drogë bashkë me marokenë e italianë.
Luan Bodlli është cilësuar prej kohësh prej policisë në Durrës si një person tejet problematik, dhe me një rrezikshmëri të lartë. Ai dyshohet se ka marrë pjesë në mënyrë aktive në tregun e drogës në Itali, por edhe atë të trafikimit të qenieve njerëzore.
Ai ka qenë një shoferi i ish-kryetarit të Komunës Xhafzotaj, Agim Hoxha, i cili njihet ndryshe edhe si daja i Dashamir Gjokës, të cilit iu bë një atentat më 24 gusht 2017, ku ndaj makinës së tij të blinduar, u qëlluan plot 25 plumba. Në makinë me Gjokën ishin dhe 3 vajzat e tij të mitura, ndërkohë që Bodlli, njihet si një nga ‘ushtarët’ e tij.
Nga të tri, i vetmi i cili është kujdesur të mos lejë gjurmë në Shqipëri është 27-vjeçari, Demokrat Çizmja, i cili deri më tani, nuk është skeduar nga policia për asnjë ngjarje.