Beogradi “përzë” dy shqiptarët, Nazarko: Shqipëria ka ruajtur dinjitetin, angazhimi ynë korrekt

AKTUALITET


Serbia ka shpallur non grata dy shqiptarë, duke thënë se përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.

Shqiptarët e shpallur non grata nga Serbia, janë përfaqësues të dy organizatave joqeveritare të cilët ishin në Beograd për një seminar, i organizuar nga një fondacion austriak, që rezulton të ketë disa bashkëpunime edhe me fondacionin Shoqëria e Hapur. Ministria e Jashtme thirri ambasadorin serb dhe kërkoi rishikimin e vendimit.

Analisti Mentor Nazarko në një intervistë në “News Line” në ABC News, tha se regjimi i presidentit Vuçiç, po përballet me ditë të vështira, duke thënë se po përpiqet të gjejë shkakun e protestave të zhvilluara jashtë, por që sipas tij, kanë të bëjnë me faktorë të brendshëm.

“Është një nga ditët më të vështira të regjimit serb, të një qeverisje të gjatë të Vuçiç dhe përballë tij nuk janë parti politike, por janë të shoqërisë civile, studentë ndaj të cilëve është e vështirë të ndërtosh narrativë asgjësuese. E kemi parë sa e vështirë është kur gjendesh përballe protesta të tilla. Pra kjo qeverisje priret, që ta gjejë shkakun e këtyre protestave jashtë. Por shkaqet janë të brendshme. Unë e shoh të vështirë që me nxitjen e kroatëve të krijohen protesta të tilla.

Gjatë intervistës u ndal edhe tek qëndrimi i Shqipërisë, duke thënë se ka mbajtur një qëndrim korrekt duke ruajtur dinjitetin e saj. Gjithashtu shtoi se ruajtja e stabiliteti është një hap i rëndësishëm për ndërkombëtarët.

“Shqipëria mendoj që ka bërë hapa të mjaftueshëm që ruajnë dinjitetin e vet. Në dijeninë time Kroacia ka ndërmarrë hapa sanksionues ndaj Serbisë që e vënë atë në një lloj presioni ndërkombëtar, kanë nënvizuar me urgjencë angazhimin e presidencës polake. Dhe me këtë mendoj që angazhimi ynë si Shqipëri është korrekt”, tha ai.

Më tej shtoi se shqetësimi i Perëndimit është që Rusia nëpërmjet destabilizmit të Serbisë, “të ketë një vatër të re krize në Ballkan”.



Skip to toolbar