Në emisionin “Real Story” në ABC, analisti Skënder Minxhozi tha se për hetimet ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ndërkombëtarët kanë preferuar të mos ndërhyjnë.
“Prezenca e Berishës brenda radhës së opozitës e shoh më shumë shqetësim. Kemi një zhvillim politik ku arbitri refuzon të bëjë arbitrin dhe kjo ka rëndësi sepse ne pa ndërkombëtarët nuk kemi pasur zgjidhje. Në mesin e sherrit të madh për hetimin e Berishës ato ftojnë të gjithë trupën e prokurorëve. Ka edhe disa ngjarje që e bashkëshoqërojnë këtë proces. Ne e dimë protagonizmin e një ambasadori amerikan”, tha ai.
Nga ana e tij analisti Artur Zheji tha se ndërkombëtarët nuk po ndërhyjnë për shkak sepse nuk duan të qëndrojnë me asnjë palë.
“Kur njeriu hesht nuk ka gjë për të thënë, ose kanë diçka për të fshehur. Tani në këtë rast mendoj se nuk ndërhyjnë sepse nëse ndërhyjnë do të mbajnë një palë. Dhe kjo është një lojë që nuk ka arbitër sepse është drejtësia ajo që vendos. Nuk do të donin të ishin më tepër kritik ndaj opozitës sepse mazhoranca nuk po e fsheh dot kënaqësinë që është pa opozitë. Pra po heshtin edhe sepse gjeopolitikësht situata është kaq turbulente, pasi këto që ne i shohim si të mëdha në një optikë globale duken si disa pika zbokthi në një xhaketë”, tha ai.