Berisha, fake news me OSBE. Dokumentet, si dështoi PD të marrë presidencën

AKTUALITET


Ish kryeministri Berisha shënon një tjetër Fake news lidhur me postimin e bërë pak ditë më herët kur shkruante se qeveria e Ramës nuk ka asnjë meritë që merr presidencën e radhës së OSBE-së, pasi ky është një vendim i akorduar nga 57 shtete anëtare të OSBE që në vitin 2006. Por e vërteta është krejt ndryshe dhe Real Story ka sjellë dokumentet që faktojnë këtë. E vërteta është që qeveria e Berishës në atë kohë, pra në vitin 2006 i ka dërguar kërkesë OSBE që Shqipëria të marrë presidencën e OSBE në vitin 2012. Kjo kërkesë është bërë fillimisht nga ministri i jashtëm në atë kohë, Besnik Mustafaj në dhjetor të vitit 2006 ku në fjalimin e mbajtur në takimin e  ministrave të jashtëm të OSBE-së ka deklaruar se Shqipëria prezanton kandidaturën për kryesinë e OSBE në vitin 2012.

“Shqipëria do të vazhdojë të jetë pjesëmarrëse aktive në këtë Organizatë, duke e bërë kështu kontributin e saj për forcimin e mëtejshëm të besueshmërisë, rolit dhe punës së këtij organizmi në arritjen e objektivave të përbashkëta. Në këtë kontekst ne kemi prezantuar kandidaturën shqiptare për kryesinë e OSBE-së në vitin 2012”, është shprehur Mustafaj (fjalimin e plotë e gjeni këtu).

Pas tij qeveria e Berishës me ministër të jashtëm Lulzim Bashës e përsëriti sërish këtë kërkesë në nënëtor të vitit 2007 në takimin e 15 të ministrave të jashtëm të OSBE.

“Ishte qasja jonë me vlerat e OSBE-së me të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit, qeverisjen demokratike, që na bëri të paraqesim kandidaturën e Shqipërisë për OSBE-në dhe kryesimin e saj në vitin 2012. Ne kemi zgjedhur të paraqesim kandidaturën tonë në OSBE duke qenë të vetëdijshëm që, falë qasjeve të tij shumëdimensionale, kjo Organizatë do të ishte forumi adekuat për prova të cilat kërkojnë një angazhim serioz dhe solemn për të përmbushur standardet dhe detyrimet. Shqipëria është e gatshme të ofrojë një qasje të tillë. Në këtë frymë dhe falë përvojës së pasur të fituar përmes bashkëpunimit të saj me OSBE-në, të dyja si një anëtar aktiv dhe një vend pritës i një prej misioneve të tij në terren, Shqipëria mund të jepte një kontribut të vlefshëm si Kryetare e Zyrës së OSBE-së në vitin 2012”, është shprehur Basha (fjalimin e plotë mund ta gjeni këtu).

E njëjta kërkesë është përsëritur sërish nga Basha në dhjetor të vitit 2008 në takimin e radhës së ministrave të jashtëm të OSBE ku sërish kërkon marrjen e presidencës së OSBE në vitin 2012. (fjalimin e plotë të Bashës e gjeni këtu).

Pra siç shihet kërkesa e qeverisë Berisha ka qenë që të marrë kryesimin e OSBE në vitin 2012 dhe jo në vitin 2020, siç pretendon Berisha dhe pavarësisht kërkesave të përsitura në 8 vite qeverisje të tij, fakt është që Shqipëria nuk mori presidencen e OSBE.

Shqipëria mori presidencën e OSBE vetëm në janar të vitit 2020 duke shënuar kështu herën e parë në histori që Shqipëria merr kryesimin e një organizatë të tillë ku marrin pjesë jo pak por 57 vende të Europës./realstory.al



Skip to toolbar