Kryeministri Edi Rama i pyetur nga gazetarët mbi veprimin e mazhorancës nëse presidenti do të kthente mbrapsht projektligjin për komisionet hetimore, tha se një mundësi e tillë nuk ekziston pasi ligji është bazuar në modelin gjerman. Dhe theksoi se për projektligjin nuk do të ketë negociata me opozitën.
“Ne nuk negociojmë dot modelin gjerman me një grup shqiptarësh që kanë humbur modelin si shqiptarë dhe janë në kërkim të modelit të tyre”- tha Rama.
Më tej ai foli për situatën e krijuar në Kuvend pas kaosit të shkaktuar nga deputetët e Bardhit dhe Berishës, duke theksuar se përsa kohë situata do të jetë e njëjtë qeveria do të votojë dhe do të largohet nga seanca.
Kryeministri tha se problemi i Sali Berishës me drejtësinë nuk është problem i popullit shqiptar dhe se parlamenti nuk duhet të ndikohet nga ky proces.
“Lufta fizike aty nuk bëhet për asnjë problem të natyrës filozofike apo konceptuale. Bëhet për një problem që ju e dini të gjithë. Një problem njerëzor por jo i kësaj shoqërie dhe i këtij populli problemi me drejtësinë i një individi që ka kaluar nga parlamenti në ballkon dhe pret nga parlamenti përplasje. Siç prisnin ata në Romë, ata që rrinin atje në Lozhë dhe skllevërve të tyre u thonin përplasuni me luanët. Por ne nuk jemi as skllevër as luanë, jemi përfaqësues të shumicës që bëjmë punën tonë”- shtoi kryeministri.