Berisha në SPAK/ Zheji: Shteti, më i vogël se dimensionet personale të tij. Minxhozi: Prokuroria e Posaçme ka çeduar rrugës nga procedura dhe ligji

Më të fundit


Pasi zvarriti vajtjen në organin e akuzës për gati tre muaj, Sali Berisha u shoqërua me polici në SPAK për t’u marrë në pyetje për privatizimin e ish klubit Partizani. Pas daljes, Berisha sulmoi Altin Dumanin, prokurorët dhe kryeministrin Edi Rama dhe tentoi të dilte entuziast para mbështetësve të paktë.

Duke komentuar faktin se Berisha u lejua të mbante një konferencë për gazetarët, analisti Artur Zheji theksoi në emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla se shteti tregoi se është më i vogël se dimensionet personale të tij.

“Ai personifikon figurën e një njeriu, ku shteti është më i vogël se dimensionet e tij personale. Kam parë figura shumë të mëdha në Itali, të cilët kanë ulur kokën dhe janë shoqëruar në mënyrë që të kenë sa më pak kontakt me kamerat. Nuk është aksioni i tij personal. Më duket si një marrëveshje e madhe që Berisha të hyjë dhe të dalë nga SPAK si Berisha, shteti të rrudhet. Akuzat të rrudhen së bashku me shtetin. Këtu ka diçka që nuk shkon, ose Berisha është vërtet i pafajshëm ose shteti është vërtet out.”, u shpreh Zheji.

Ndërkohë, analisti Skënder Minxhozi bëri një koment për SPAK, teksa tha se “ka çeduar rrugës nga procedura dhe nga ligji”.

“Berisha është ai mjeshtër politik dhe e ka faktuar këtë talent në 30 vjet dhe pozitën më delikate dhe më të mundimshme që mund të ketë. Është në gjendje që me një gjest të madh teatraliteti, u mundua të kthejë një paraqitje, e cila për Berishën është një gati poshtërim që t’i bindet një apeli të drejtësisë për të dëshmuar dhe për t’u hetuar. Me kodin e vet politik, ai reklamon një piedestal diku në anë që është një shkallë më lart se të gjithë të tjerët. Aty kanë hyrë dhjetëra zyrtarë, jo të nivelit të Berishës, por nuk kanë hyrë me këto daulle si Berisha. E dyta, që i përket SPAK që po mban një qëndrim që do ta quaja ekonomizimi i lëvizjeve. Më duket se ka një peshore të padukshme, jo ajo peshorja negative, një këtej dhe një andej. Mendoj se ekonomizimi ka të bëjë më shumë me mos hapjen e shumë fronteve njëherësh. Berishën e kanë futur në arrest shtëpie, i kanë lejuar komunikimin me një turmë njerëzish poshtë pallatit. Nuk lejohej edhe kjo e sotmja, por nuk lejohet që për 21 janarin, Prokuroria Speciale t’ja çojë dosjen Prokurorisë së Përgjithshme. Nëse ka një dosje që ka të bëjë me personat në pushtet është 21 Janari dhe SPAK e çon atje. SPAK me atë tagër dhe me atë fuqi reale që ka sot nuk do t’i mbante dot të hapura me këto kauza. Ka çeduar rrugës nga procedura dhe nga ligji.“, tha Minxhozi./abcnews.al



Skip to toolbar