Një datë historike e ka cilësuar analisti Skënder Minxhozi, 21 dhjetorin e vitit 2023, ditën kur Kuvendi votoi me 75 vota pro heqjen e imunitetit të Sali Berishës, që i hap rrugë arrestimit të tij.
Në një intervistë për ABC News, Minxhozi u shpreh se kjo shënon një kthesë të madhe në politikën shqiptare, por edhe në shoqëri.
Sipas Minxhozit, ish kryeministri Berisha ka prekur fundin dhe shtoi se bërio gabim fatal duke u rikthyer.
Minxhozi nënvizoi se Berisha dështoi dhe nuk realizoi asgjë nga ato që kishte premtuar pas rikthimit të tij.
“Seancat e fundit jemi mësuar të zgjasin disa minuta, nuk ka funksionim normal. Kjo nuk i heq asgjë aspektit historik që ka vota e sotme, shënon një kthesë të madhe jo vetëm në politikën shqiptare, por do ketë efekte dhe valë sizimike në shoqërinë shqiptare. Ndodhemi në një situatë ku drejtësia e re guxon të godasë figurën më të madhe politike në tranzicionin shqiptar. Një figurë shumë komplekse që e sheh veten në fund të karrierës së tij, i izoluar ndërkombëtarisht, por edhe me probleme me drejtësinë. Një situatë që do të hapte një lojë të madhe me imunitetin e elitës së politikës në Shqipëri, nëse goditet siç u godit Berisha, këtej e tutje janë pa imunitetin historik që drejtësia u kishte dhënë. Sot e gjithë klasa politike shqiptare e sheh veten të zbuluar përballë një hetimi çfarëdo të drejtësisë, jep mundësinë të veprojnë edhe ndaj atyre që kanë qenë të paprekshëm.
Partia Demokratike pësoi një çarje te madhe më 8 janar, ishte një çarje e dhunshme, një spektakël makabër. Asokohe, përplaseshin dy linja të qarta, e Bashës dhe rryma tjetër e cila mbrojti kauzën e vet me dështimet e Lulzim Bashës. Ajo që premtoi Berisha ishte ribashkimi i Partisë Demokratike, se nuk do të përjashtohej më askush, se do të ringrinte frymën opozitare në vend, dështoi në të gjitha këto objektiva. Duke e hequr dosjen penale që ka mbi veten, Berisha ka dështuar politikisht pas 8 janarit. Berisha nuk arriti më shumë se Lulzim Basha. E shohim në faktin që në zgjedhjet e 14 majit, ai mundi të marrë me Ilir Metën, nga 61 bashki, mundën të marrin vetëm 7. Berisha ka një problem të skajshëm politk, bëri gabim fatal që u rikthye.
Sot Partia Demokratike zyrtare nuk u paraqit fare në seancë, grupi që qëndron në mes me Bardhin e të tjerët, u identifikuan me fatin personal të Berishës. Sot, Partia Demokratike, praktikisht ndjek vetëm agjendën e personit Sali Berisha. Berisha ka muaj e muaj që flet për një revolucion, revoltë, banerat në PD i ka ndërruar disa herë, janë thirrje që nuk i drejtohen gazetarëve, por audiencës së madhe shqiptare, kujtonte se do t’i kthehej një mbështetje popullore. Ai ka kujtuar se e gjithë saga e tij juridike do të prodhonte një rritje të frymës opozitare në Shqipëri, i cili do t’i siguronte paprekshmërisë. Fuqia e Sali Berishës, që në vitet 1991, ka ardhur nga fryma populiste që ai sillte me vete, e reklamonte veten si një politikan dhe kryetar partish mitingjesh të mëdha, ka qenë e vërtetë deri vonë, në 2019 kur dorëzuan mandatet. Tani ndodhi që në sagën e fundit penale të doktorit, po shohim që fryma popullore është e shfryrë.
Arrestimi i Berishës hap rrugën që politika shqiptare të mos gëzojë më imunitetin politik që ka pasur, është zhvillim i madh. Do i bënte politikanët shqiptarë më të përgjegjshëm. Berisha, me rikthimin e tij, bllokoi procesin politik në Shqipëri. Largimi i Berishës nga skena, do të zhbllokojë procesin politik. Sot është një datë historike në Shqipëri, që mund të sjellë hapjen e skenës për figura të reja politike”, theksoi ai./abcnews.al