Thirrjet e SHBA bien në vesh të shurdhër. Pas reagimit të ambasadës amerikane kundër dhunës, molotovëve e fishekzjarreve, kryetari i PD, Sali Berisha shpalli protestën e radhës, një kryengritje, por pa prapashtesën paqësore.
“Ndaj dhe duhet t’i përgjigjemi në mënyrën më të fuqishme dhe unë kam besim se do i përgjigjemi. Data 12 është kryengritja e radhës. Ftoj qytetarët shqiptarë në të katër anët e Shqipërisë të bashkohemi kundër kreut të kësaj organizate kriminale për t’i dhënë përgjigjen e merituar për vjedhjet e tij dhe për tradhtinë e lartë kombëtare që i bën idealeve evropiane të popullit shqiptar.”
Kësaj radhe, Berisha ka gjetur një kauzë të re. Do të protestojë kundër Ramës, kundër Vuçiçit dhe me një tezë që e beson vetëm ai.
“Duke i deklaruar Europës, BE-së se nuk më duheni ju, por më duhet Vuçiçi jemi më të vendosur se kurrë, që qytetarët shqiptarë të marrin fatet e tyre në dorë. U bëj thirrje ndërgjegjes së qytetarëve, kjo është betejë për ndërgjegjen e njeriut. Ëndrrës evropiane të shqiptarëve për të zënë vendin e tyre të merituar në BE” vijoi Berisha.
Me SHBA dhe BE kundër, Berishës i mjafton vetëm vëmendja që i japin pas dhunës. Në Tiranë ai ka lidhur një aleancë të re ylberiste, të cilën ia mundësoi vetëm Gazment Bardhi.
