Besnik Muçi nuk njeh shkarkimin, paraqitet në punë. Rrezikon dy vite burg

AKTUALITET


Anëtari i shkarkuar i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi është paraqitur të premten në punë, megjithëse Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi shkarkimin e tij nga detyra dhe automatikisht në bazë të ligjit edhe largimin e tij nga sistemi i drejtësisë. Pavarësisht këtij vendimi Besnik Muçi ka shkuar të premten në institucionin e Gjykatës Kushtetuese, pasi ai e njoftoi një ditë më herët se nuk e njeh vendimin e KPA-së. Sipas tij, KPA e ka vlerësuar atë për punën si prokurori, por kjo detyrë e tij është ndërprerë në momentin që ai ka bërë betimin si anëtar i Kushtetueses.

Besnik Muçi tha se vettingu nuk ka kompetencë tek anëtarët e Kushtetueses. Por në fakt e ka gabim, pasi edhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese në bazë të ligjit janë subjekte të rivlerësimit, pra duhet të kalojnë patjetër procesin e vettingut.

Këtë e përcakton qartë Neni 179/b/3 i Kushtetutës së Shqipërisë, ku thuhet: “Të gjithë gjyqtarët, duke përfshirë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të gjithë prokurorët, duke përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm, Kryeinspektorin dhe inspektorët e tjerë pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i nënshtrohen rivlerësimit ex officio”, thuhet në Kushtetutë. Këtu bie pretendimi i Besnik Muçit se për të duhet të ishte ndërprerë Vettingu në çastin që u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Gjithashtu, ligji për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese përcakton qartë në Nenin 7/a mbi kriteret dhe kushtet e emërimit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, në pikën “dh” të këtij neni thuhet: “Të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit”.

Në fakt, kjo pikë do të duhet të kishte fuqi vepruese përpara se Besnik Muçi të zgjidhej anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Pra, Presidenti, në çastin që kishte përpara listën e kandidatëve për të zgjedhur një emër për vakancën e Gjykatës Kushtetuese, duhet t`i ishte referuar kësaj pike, duke mos dekretuar Besnik Muçin anëtar të Gjykatës Kushtetuese, pasi ishte ende në proces rivlerësimi.

Sipas ligjit  Besnik Muçi s’mund të jetë më anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe nëse ai do të tentojë të mos zbatojë këtë vendim, do të përballet me shkelje ligjore. Konkretisht, është Kodi Penal ai që parashikon masat ndëshkimore për funksionarët publik.

Në Nenin 246 të këtij Kodi, ku flitet për Përvetësimin  e titullit apo detyrës shtetërore, thuhet: “Përvetësimi i një titulli apo detyre shtetërore i shoqëruar me kryerjen e veprimeve që i takojnë mbajtësit të titullit apo të detyrës, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Kur vepra kryhet me qëllim fitimi apo ka prekur lirinë, dinjitetin apo të drejta të tjera themelore të shtetasit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet”, thuhet në Kodin Penal.



Skip to toolbar