Betohet në Departamentin amerikan të Shtetit, Yuri Kim si ambasadore e SHBA në Shqipëri. Ajo është tashmë zyrtarisht Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, ndërsa lajmi ëhstë konfirmuar nga ambasadorja shqiptare në SHBA, Floreta Faber.
“Urimet më të mira dhe suksese në misionin tuaj, me bindjen se do kemi një bashkëpunim të frytshëm!”, thotë Faber ku ka shpërndarë foto me ambasadoren e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.
Yuri Kim u konfirmua nga senati amerikan në dhjetor të viti të kaluar si ambasadorja e re e SHBA-së në Tiranë, ndërsa ajo pritet të vijë në Shqipëri brenda muajit janar. Ambasadorja Kim foli për shqiptarët, si një nga popujt më pro amerikanë në botë dhe se duhet t’i mbajë afër.
“Pak miq kanë përqafuar ngrohtë SHBA. Sondazh pas sondazhi tregohet se mbështetja shqiptare për Shtetet e Bashkuara mbetet ndër më të lartat në botë. Pak aleatë kanë qenë kaq besnikë. Trupat shqiptare kanë qenë në anën tonë në Afganistan, Kosovë, Bosnje. Dhe pak partnerë janë po aq të gatshëm të bëjnë më shumë me Shtetet e Bashkuara.
Ne kemi një mik të fortë dhe besnik si Shqipëria, dhe është e domosdoshme që të mbajmë miq si Shqipëria pranë nesh, veçanërisht përballë sfidave strategjike për interesat, vlerat dhe institucionet tona të përbashkëta”, u shpreh Yuri Kim, në seancën dëgjimore para Komisionit të Jashtëm të senatit. Ndërsa reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe kriza politike janë disa nga prioritetet gjatë mandatit të saj që i është besuar nga administrata Trump.