Biden njofton 2.5 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën

AKTUALITET


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, njoftoi të hënën një pako të re të ndihmës ushtarake në vlerë 2.5 miliardë dollarë për Ukrainën.

Biden është duke i përdorur javët e fundit në presidencë për ta rritur mbështetjen ushtarake për Kievin, para se presidenti i zgjedhur, Donald Trump, ta marrë detyrën më 20 janar.

“Nën drejtimin tim, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojmë pandërprerë për ta forcuar qëndrimin e Ukrainës në këtë luftë përgjatë kohës sime të mbetur në detyrë”, tha Biden në një komunikatë.

Ndihma e re përfshin ndihmë ushtarake prej 1.25 miliard dollarësh nga rezervat amerikane dhe një paketë prej 1.22 miliard dollarësh nga Iniciativa për Ndihmë të Sigurisë për Ukrainën (USAI). Kjo është paketa e fundit nga USAI nga administrata e Bidenit.

Sipas USAI, pajisjet ushtarake blihen nga industria e mbrojtjes apo partnerët, pra nuk merren nga rezervat amerikane, që nënkupton se nevojiten muaj apo vite që ato të mbërrijnë në fushëbetejë.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia po hyn në vitin e tretë dhe kohët e fundit ushtria ruse ka përdorur trupa koreanoveriorë për t’i forcuar pozitat e saj luftarake.

Forcat koreanoveriore po përjetojnë humbje të mëdha në vijat e frontit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pasi 1.000 ushtarë të saj janë vrarë ose të plagosur vetëm në javën e fundit në rajonin Kursk të Rusisë, tha të premten zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Në një komunikatë, Biden tha se ndihma e re do t’i ofrojë Ukrainës “një fluks të menjëhershëm armësh që ajo po i përdor me ndikim të madh në fushën e betejës dhe furnizime afatgjate për mbrojtjen ajrore, artilerinë dhe sisteme të tjera të armëve vendimtare”.
Prej fillimit të luftës më 2022, Uashingtoni e ka ndihmuar Ukrainën me 175 miliardë dollarë në përgjithësi, por tani nuk është e sigurt nëse kjo mbështetje do të vazhdojë me këtë ritëm nën udhëheqjen e Trumpit, i cili do të zëvendësojë Bidenin më 20 janar.

Trump ka thënë se dëshiron ta përfundojë luftën shpejt. Gjatë fushatës elektorale presidenciale, Trump e ka vënë në pikëpyetje nivelin e përfshirjes së SHBA-së në konflikt, duke lënë të kuptohet se aleatët evropianë duhet ta bartin më shumë barrën e ndihmës financiare.



Skip to toolbar