Një aksident i rëndë automobilistik me një të vdekur ka ndodhur pasditen e së premtes në aksin rrugor Kukës–Krumë për shkak të mos respektimit të rregullave për transportimin e objekteve të rënda në qarkullimin rrugor.
Shkak i aksidentit, me pasojë vdekje e një shoferi makine është bërë rënia e një ekskavatori në rrugën automobilistike nga një kamion në ecje, i cili i ka ndërprerë rrugën veture, që ishte pas kamionit. Nga përplasja e me ekskavatorin në rrugë, shoferi i veturës ka marrë plagë të rënda, të cilat më vonë i kanë shkaktuar vdekjen në spital.
Sipas burimeve të policisë vendore të Kukësit, aksidenti ndodhi në vendin e quajtur “Qafa e Toblit” dhe nga rrëshqitja e ekskavatorit është përplasur mjeti “Mitsubishi” me drejtues H.N. “Për pasojë është dëmtuar drejtuesi i mjetit “Mitsubishi”, H. N., i cili ka marrë ndihmën e parë në Spitalin e Krumës dhe është transportuar për në Spitalin e Gjakovës, ku ka gjetur vdekjen”, tha policia, e cila shtoi se drejtuesi i kamionit, me iniciale E.H., është shoqëruar në komisariatin e policisë Kukës, për veprime të mëtejshme procedurale.