Mbi 1 mijë banesa janë shembur plotësisht nga tërmeti i 26 nëntorit ndërsa qindra të tjera janë dëmtuar rëndë në Durrës, Tiranë, Lezhë etj. Këto janë të dhënat e bilancit paraprak të bëra publike nga Zyra Qendrore e Operacioneve për Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore. Zyra në fjalë drejtohet nga ministri Blendi Çuçi dhe njofton se të dhënat do të përditësohen çdo ditë. Deri më sot janë gjithsej 1183 banesa të shembura plotësisht, konkretisht në Tiranë 1311 , Durrës 3821, Dibër 2.
Ndërsa janë dëmtuar rëndë 5497 banesa (Tiranë 1311, Durrës 3821, Lezhë 168, Kukës 150, Dibër 13, Elbasan 34). Numërohen 3520 shtëpi të dëmtuara lehtë, konkretisht në (Tiranë 3199, Dibër 73, Elbasan 248). Pallate të dëmtuara rëndë: 558 (Tirane 35, 461, Lezhë 56, Kukës 4, Dibër 1, Elbasan 1). Pallate të dëmtuara lehtë: 335 (Tiranë 328, Durrës 461, Elbasan 7). Shkolla të dëmtuara: 28 (Tirana 11, Lezha 5, Kukës 3, Elbasan 9). Kabina elektrike të dëmtuara: 15 (Tiranë). Biznese të dëmtuara: 146 (Tiranë). Qendra shëndetësore: 2 (Tiranë 1, Kukës 1).
Sipas të dhënave janë evakuuar deri më sot 3224 persona, shumica e të cilëve janë strehuar në hotele, qendra sociale apo çadra.
Konkretisht 1961 persona janë strehuar nëpër hotele, 964 në çadra, 867 nëpër qendra sociale, dhe 2525 të tjerë janë strehuar nëpër familjet e të afërmve.
Zyra e menaxhimit të situatës njofton se vijon me intensitet puna në terren për inspektimin e të gjithë dëmeve në banesa nga ekipet vendase dhe ndërkombëtare në të gjithë qarqet e prekura.
Në Shqipëri kanë ardhur 55 ekspertë ndërkombëtarë nga Greqia, Turqia, SHBA, BE, Zvicra, Maqedonia e Veriut dhe Franca, që i’u janë bashkuar 74 ekspertëve shqiptarë dhe 30 inxhinierëve nga Kosova, duke e çuar numrin në 159 ekspertë gjithsej që po punojnë në terren.
Deri tani është vendosur shembja e 9 objekteve në Durrës dhe 8 në Thumanë.
“Akualisht po përgatitemi për prishjen e 2 objekteve, njëri 3-katësh dhe tjetri 5-katësh në Shkozet, Durrës. Vijon prishja e një objekti 5-katësh tek Lagjja Kënetë, Durrës. Vijon puna në prishjen e objektit 4–katësh në zonën e plazhit (pas hotel “Koral”). Vijon puna për prishjen e objektit 5-katësh, hotel “Ljubana”. Vijon puna për prishjen e një tjetër objekti 4-katësh në zonën e plazhit (tek Rrota e Kuqe).
Vijon puna për copëtimet dhe pastrimet e inerteve në këto objekte: Në objektin afër Kompleksit “Tropikal. Në shtëpinë e Familjes Reçi, në qytetin e Durrësit. Në kompleksin “Miramare”. Në hotel “Vila Verde”. Në ndërtesën e Familjes Lala, në Kënetë”, njofton zyra e menaxhimit të situatës.