Biletat false të autobusëve, Veliaj paralajmëron heqjen e 5 licencave

AKTUALITET


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka përshëndetur aksionin e Policisë së Shtetit që bëri të mundur goditjen e një rrjeti falsifikatorësh të biletave të transportit publik urban në Tiranë, por njëkohësisht ka paralajmëruar se mund të hiqet licenca e transportit urban për të paktën 5 linja të rëndësishme të kryeqytetit pronarët e arrestuar.

“Mirënjohje Policisë së Shtetit për ndërhyrjen energjike kundër abuzimit! Kush provohet fajtor, qërohet nga Tirana”, ka shkruar Veliaj në postimin e tij në rrjetet sociale, duke paralajmëruar se nëse pronarët e arrestuar për falsifikim biletash autobusësh të linjave urbane në Tiranë shpallen fajtorë nga gjykata, atëherë ata mund të humbasin licencat për transportin qytetas.

Gjatë aksionit të policisë u arrestuan bashkëpronarët e tre linjave urbane të rëndësishme në Tiranë, të cilët dyshohet se kanë punuar me bileta false, me qëllim që të shmangin taksat. Konkretisht, policia arrestoi një nga bashkëpronarët e linjës më të hershme dhe nga më të fuqishmet në Tiranë, biznesmenin Ferdinand Ibrahimi, i cili ka licencën për linjën urbane qytetase të Unazës dhe djalit të tij, Anastas Ibrahimi. Po ashtu, në pranga kanë rënë burrë e grua, Fatos dhe Albana Vrapi, të cilët kanë licencën për linjat “Tirana e Re”, “Tufinë” dhe “Shkozë”. E fundit e arrestuar si bashkëpronare e linjave urbane qytetase është Evisa Vora, e cila ka linjën e Porcelanit. Të gjitha këto linja urbane janë të fuqishme në Tiranë dhe me paralajmërimin e Veliajt rrezikojnë të humbasin licencat, duke hapur tregun për konkurrentë të tjerë. Tashmë, sipas fjalëve të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës mbetet për t’u parë vendimi i drejtësisë mbi rolin që ka pasur secili nga të arrestuarit.

Aksioni i policisë u krye në kuadër të planit të masave “Mbi informalitetin në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, trajtimi i mallrave me akcizë dhe evazionin fiskal”, ndërsa Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe  Drejtorinë e Hetimit Tatimor, mundi të zbulojë një falsifikimin e biletave të urbanëve publik në Tiranë si dhe të vendosin në pranga 8 persona.



Skip to toolbar