Bindja Demokratike: Të ndryshojë Kushtetuta, të kufizohet pushteti i Ramës

AKTUALITET


Deputeti Andi Përmeti i Bindjes Demokratike ka bërë publike propozimet e kësaj partie për ndryshime në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor ku pikë kryesore është ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe kufizimi i mandateve të kryeministrit.

Në pikën e parë të propozimit theksohet se duhet të bëhet ndërrimi i sistemit politik, nga proporcional rajonal me lista të mbyllura, në proporcional kombëtar me lista preferenciale ose të hapura. Po kështu kërkohet dobësimi i pushtetit të kryeministrit si dhe aplikimi i votimit të detyruar.

Bindja Demokratike kërkon të sanksionohet në kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor që 100 ditë para zgjedhjeve kryeministri të japë dorëheqjen dhe vendi të drejtohet nga një qeveri teknike. “Një gjë e tillë do të rrisë besueshmërinë procesit dhe do t’i japë fund debatit mes mazhorancës dhe opozitës për rolin e kryeministrit në manipulimin e zgjedhjeve.

Në mënyrë që të shmangen kundërshtitë mes palëve për emrin e kryeministrit teknik, të caktohet paraprakisht një funksionar i lartë, që kryen përkohësisht funksionet e drejtimit të qeverisë tranzitore, fjala vjen kryetari i Gjykatës Kushtetuese”, propozon deputeti Përmeti.

Ai thotë se mandati i kryeministrit në Shqipëri të mos jetë më shumë se dy mandate. “Nuk do të ishte ndonjë humbje e madhe për kombin, në rast se mandatin e shefit të qeverisë e kufizonim, në jo më shumë se dy herë. Shembulli i Amerikës është mëse i mjaftueshëm për ta konsideruar si një histori botërore suksesi, që praktikohet prej mëse 200 vjetësh”, tha Përmeti.

Ai gjithashtu tha se KQZ duhet të jetë një institucion kushtetutës i depolitizuar gjë që do ta çlironte procesin nga krizat politike.

“Depolitizimi do ta çlironte procesin nga kriza dhe konflikte të zakonshme politike dhe do t’i jepte atij besueshmëri më të madhe.

Numërimi i njëkohshëm i votave duhet të jetë kushti i parë për të pasur zgjedhje normale edhe në Shqipëri, ashtu si në të gjithë rajonin. Ka dy mënyra për ta zgjidhur këtë, me numërim elektronik ose me numërim në qendrat e votimit. Ne do të preferonim votimin elektronik me identifikim biometrik të zgjedhësit, si më i sigurt dhe më i pamanipulueshëm, por edhe kthimi, siç ka qenë përpara vitit 2000, do të ishte gjithsesi një zgjidhje më e mirë.

Votimi dhe numurimi elektronik do të reduktonte shumë edhe debatin për depolitizimin e komisioneve zgjedhore, pasi do të zvogëlonte interesin e partive për të pasur njerëzit e tyre atje”, tha Përmeti.

Propozimet e Bindjes Demokratike

1. Ndryshime në Kushtetutë – për ndërrimin e sistemit politik, nga proporcional rajonal me lista të mbyllura, në proporcional kombëtar me lista preferenciale ose të hapura.

Dobësimi i pushtetit të kryeministrit si dhe aplikimi i votimit të detyruar. Rikthimi i KQZ-së në organ kushtetues të depolitizuar.

2. Ndryshime në Kodin Zgjedhor – për të përfshirë atje kryesisht, por jo vetëm, rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, të cilat janë bërë stivë tashmë që nga zgjedhjet e vitit 2013.

3.Ndryshime në ligjin “Për partitë politike” – për të vendosur rregulla të reja dhe të forta lidhur me funksionimin, financimin, organizimin dhe zgjedhjet e brendshme të tyre.

4.Ndryshime në Kodin Penal – për të vendosur masa më të rënda ndëshkimore për të gjitha krimet zgjedhore, që nga votuesit e thjeshtë, personat që administrojnë zgjedhjet, e deri tek subjektet politike.

5. Ndryshime në ligjin “Për administatën publike” – për të garantuar paprekshmërinë e administratës publike nga ndryshimet politike, duke përcaktuar qartë rolin dhe vendin e saj gjatë fushatave dhe proceseve zgjedhore.

6.Ndryshime në ligjin “Për ndarjen administrative-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë” – të cilat të sigurojnë, jo vetëm konsensusin politik mes pozitës dhe opozitës, barazinë e palëve në zgjedhje, por edhe një administrim më të mirë të pushtetit lokal në Shqipëri.

7.Hartimi i një ligji të posaçëm për referendumet – për t’i dhënë mundësi qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e demokracisë direkte, duke çliruar pengesat e qëllimta në Kodin Zgjedhor, që e bëjnë praktikisht të pamundur sot mbajtjen e referendumeve.



Skip to toolbar