Bllokimi i gjashtë kryqëzimeve/ Kallëzohen në SPAK, 16 deputetë të opozitës

AKTUALITET


Policia e Shtetit ka kallëzuar në SPAK 16 deputetë të opozitës, të cilët të martën bllokuan gjashtë kryqëzime duke pamundësuar qarkullimin normal të mjeteve, për disa orë rresht.

Mësohet se deputetët e proceduar janë: Xhelal Mziu, ⁠Flamur Noka, ⁠Asllan Dogjani, Albana Vokshi, Luan Baçi,Tritan Shehu, Kasem Mahmutaj, Edi Paloka, Ervin Minarolli, Bledjon Nallbati, Dashnor Sula, Tomorr Alizoti, Qani Xhafa, Edmond Spaho, Elda Hoti dhe Kastriot Piroli.

Gjithashtu është proceduar edhe kryetari i bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja.

“Janë referuar materialet në SPAK, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 16 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë (4 në Tiranë, 4 në Durrës, 3 në Fier, 3 në Elbasan dhe 2 në Lezhë) dhe për kryetarin e bashkisë Kavajë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik””, thekson policia.

Për këtë, janë arrestuar 4 persona të tjerë,  3 në Elbasan dhe 1 në Tiranë. Ata akuzohen për veprën “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe/ose “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Ndërkohë janë proceduar në gjendje të lirë 195 militantë të opozitës, përkatësisht 92 në Durrës, 36 në Fier, 33 në Tiranë, 20 në Elbasan dhe 14 në Lezhë.  Sakaq, janë shpallur në kërkim 5 shtetas, përkatësisht 3 në Elbasan dhe 2 në Tiranë.

Siç konfirmon policia, aktualisht vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin e drejtuesve të automjeteve me të cilat u bllokua qarkullimi, si dhe në drejtimin e prokurorive kompetente, po hetohet për të identifikuar shtetasit e tjerë të implikuar në paligjshmëri gjatë këtyre tubimeve.



Skip to toolbar