Bllokimi i qendrave të votimit, ndjekje penale Voltana Ademit

AKTUALITET


Janë dashur dy javë, që nga dita që në Shkodër nisën sulmet e KZAZ-ve deri  këtë të diel në pengimin e procesit zgjedhor, që Policia e Shtetit të nis hetimin ndaj kryetares së Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi. Kjo e fundit  është zyrtarisht nën hetim, pasi akuzohet për veprën penale të “Pengimit të zgjedhësit”, pasi ka urdhëruar me shkrim punonjësit që ka nën varësi, të mbyllin disa Qendra Votimi.

“Procedohet Kryetarja Bashkisë Shkodër Voltana Ademi për veprën penale të “Pengimi i zgjedhësit”, pasi duke ushtruar funksionin dhe autoritetin e saj si kryetare e Bashkisë Shkodër, ka urdhëruar me shkrim  punonjësit e kësaj bashkie të mbyllin disa Qendra e Votimi (shkolla), të cilat administrohen në pronësi të Bashkisë Shkodër, konkretisht 53 Qendrat e Votimit. Materialet u referuan hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor , Shkoder   per vepren penale te “Pengimi i zgjedhësit” parashikuar nga neni 330/1/2 i Kodit Penal”, shkruhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi përmes një deklarate për mediat është shprehur se procedimi penal i bërë publik këtë të diel, në fakt sipas saj, është nisur ditë më parë. Ndër të tjera Ademi është shprehur se kjo e diel nuk është e lehtë për shkodranët dhe për të gjithë shqiptarët. “Sot është një ditë jo e lehtë për Shkodrën dhe Shqipërinë. Janë orë që e kthejnë pas në vitin 1990. Të gjithë e panë dje se si u dhunuan institucionet e qytetarëve të bashkisë së Shkodrës. Të gjitha janë të dokumentuara dhe do të çohen shumë shpejt dhe do të gjykohen të gjithë në Prokurorinë e Shkodrës. Çdo komunikim zyrtar ka qenë transparent. Procedimi penal ndaj meje nuk është i ditës së sotme. Gjatë gjithë këtyre ditëve kryeministri, ministri dhe prefekti e të gjithë me radhë kanë intimiduar një kryetare bashkie. Procedimi penal është vetëm një vendim politik i Edi Ramës. Ama ne nuk kemi bërë gjë tjetër veçse kemi respektuar dekretin e Presidentit”, tha Ademi.

Voltana Ademi ka qenë kryebashkiakja më e “zjarrtë” opozitare që ka urdhëruar me shkrim bllokimin e Qendrave të Votimit, por që më herët nisën djegien e materialeve zgjedhore në KZAZ-në Nr. 2 në shkollën “Shenaze Juka” në Shkodër, dhe që kulmoi me anti-mitingun ndaj takimit elektoral që Kryeministri Edi Rama zhvilloi disa ditë më parë në Shkodër. Tashmë Voltana do të të duhet të tregojë “voltazhin” para Prokurorëve.



Skip to toolbar