Bllokimi i rrugës/ Shembet ura tek Arrat e Gurrës, do të ndërtohet rrugë provizore

AKTUALITET


Ka nisur zyrtarisht puna për demontimin e urës së Dragostunjës në “Arrat e Gurrës”, aksi Librazhd–Prrenjas, pas dëmtimeve të rënda shkaktuar nga rrëshqitja dhe fundosja e tokës.

Struktura u bë e rrezikshme për qarkullimin, pasi zhvendosja e rrugës dhe çarja e shtresave mbajtëse e bënë të pamundur çdo riparim.

Procesi po kryhet me mjete të rënda dhe masa të rrepta sigurie, ndërkohë që terreni vijon të jetë i paqëndrueshëm. Shembja e urës ka shkaktuar devijime trafiku dhe izolim të përkohshëm të disa komuniteteve.

Autoritetet po planifikojnë ndërtimin e një ure të re, më të qëndrueshme dhe të përshtatur me kushtet gjeologjike, ndërsa banorët kërkojnë transparencë mbi afatet dhe garanci për një zgjidhje afatgjatë.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, kreu i ARRSH-së Ami Kozeli premtoi në konferencë për mediet për gazetarët se do të ndërtohet një rrugë provizore 1.3 kilometra buzë Shkumbinit. “Ky aks i ri është me gjatësi minimumi 1.3 kilometra dhe nuk mund të themi një afat kohor. Lidhur me inertet, e mohoj që fenomeni të ketë ndodhur për shkak të marrjes së inerteve”, tha ai.

Prej disa ditësh, në vendin e quajtur Arrat e Gurrës është dëmtuar rëndë aksi rrugor Librazhd-Prrenjas, duke e bërë të pamundur lëvizjen normale drejt jug-lindjes së vendit.

Kjo situatë bëri që edhe palët politike të replikojnë ashpër me njëri-tjetrin. Kryeministri Edi Rama deklaroi se shkak për problemin janë kushtet gjeologjike në këtë zonë. Ndërsa, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se shkak për prishjen e këtij aksi, por edhe rrugëve të tjera është korrupsioni.



Skip to toolbar