Bllokimi i Shqiptareve në kufirin Grek , Cakaj sqaron: Kemi diskutuar me autoritetet greke. Ja çfarë thotë për riatdhesimin

AKTUALITET


Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, foli në emisionin “Real Story”, në News24, për operacionin e riatdhesimit dhe për problemet me të cilat po përballen shqiptarët në kufijtë tokësorë, gjatë kthimit në athdhe, për shkak të koronavirusit.

Cakaj tha se sot përfundon operacioni i riatdhesimit, duke sqaruar se në fokus kanë qenë dy kategori, studentët dhe rastet humanitare.

Sa i takon bllokimi të shqiptarëve në kufijtë tokësorë, kryesisht në ato me Greqinë, Cakaj tha se sot bashkë me kryeministrin Edi Rama kanë qenë në diskutime me autoritetet greke, ku kanë diskutuar edhe për këtë problem.

“Sot përfundon operacioni i riatdhesimit. Në këtë operacion iu është dhënë përparësi dy kategorive, studentëve dhe rastet humanitare. Ky operacion nuk ishte një përpjekje për të rikthyer të gjithë shqiptarët që janë jashtë, por vetëm ata që ishin pa mburojë. Nuk guxojmë se për të zgjidhur një problem më të vogël, të shkaktojmë një problem më të madh. Ne po bëjmë gjithçka në përputhje me dinamikat ndërkombëtare”, tha Cakaj.

Nuk i keni në radar të gjithë shqiptarët jashtë apo nuk keni mundësitë?
Ne kemi marrë një varg masash për t’u ballafaquar me këtë situatë. Ambasadat tona kanë zgjidhur shumë halle të njerëzve tanë jashtë.

Igli Tare, Lorik Cana, Tare kanë kontribuar këto ditë, por njerëzit presin nga shteti…
Unë i kuptoj të gjithë shqiptarët që janë të mërzitur me ne. Ju bëj thirrje se Ministria e Jashtme ka ngritur ekipin e emergjencave për t’iu përgjigjur të gjithëve. Në momentin kur kanë probleme me ambasadat, kanë adresën e ministrisë. Listat nuk kanë vend për të gjithë, por kjo nuk do të thotë që nuk e kemi vëmendjen te të gjithë. Tjetër element është bashkëpunimi me vendet e tjera që të mos ketë penalitete për shqiptarët që iu kalon afati i kthimit.

Po situata e krijuar në kufijtë tokësorë?
E vërteta është se ne jemi në një situatë pothuajse lufte, në një gjendje të jashtëzakonshme. Nuk po themi që ka hapësirë për të qenë të lumtur të gjithë qytetarët, por po shfyrtëzojmë të gjitha hapësirat për të zgjidhur problemet. Kemi bërë një punë të jashtëzakonshme. Sot unë dhe kryeministri kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me kolegët grekë dhe e kemi diskutuar edhe këtë problem. Nuk them që ky problem është zgjidhur njëherë e përgjithmonë, por ne do i trajtojmë problemet e tyre një nga një. Ne jemi duke punuar intensivisht me të gjitha vendet, deri tani kemi arritur suksese të jashtëzakonshme.



Skip to toolbar