Tre automjete janë bllokuar në portin e Durrësit pasi rezultojnë të vjedhura në Francë, Britaninë e Madhe dhe Itali.
Policia ka arrestuar një 53-vjeçar me iniciale Xh.R. banues në Zvicër ndërsa 2 të tjerë janë nën hetim.
Gjatë kontrolleve të ushtruara, rezulton se makina e Xh.R. ishte e vjedhur në Itali. Ndërsa 2 automjetet e tjera të shtetasve F.L. dhe S.M. rezultojnë të vjedhura në Francë dhe Britaninë e Madhe.
Njoftimi i policisë:
Krahas masave të shtuara për menaxhimin e fluksit të levizjes gjatë sezonit veror, vijojnë kontrollet e pandërprera nga shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Port Durrës, me qëllim goditjen e paligjshmërisë.
U konstatuan me automjete të dyshuara të vjedhura jashtë shtetit, vihet në pranga 1 shtetas, procedohen penalisht 2 të tjerë.
Bllokohen 3 automjetet e dyshuara të vjedhura.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Durrës, në vijim të zbatimit të masave të shtuara në kuadër të sezonit turistik, kanë intensifikuar kontrollet me qëllim goditjen e paligjshmërisë. Në këtë kuadër, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Xh. R., 53 vjeç, banues në Zvicër, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike” , pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në PKK Port Durrës, me një automjet i cili rezulton i vjedhur në shtetin italian.
Gjithashtu, si rezultat i kontrolleve, u referuan materialet në Prokurori, si dhe filloi procedimi penal për shtetasit:
-F. L., 39 vjeç dhe S. M., 47 vjeç, banues në Durrës dhe Mbretërinë e Bashkuar, pasi janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në PKK Durrës, me automjetet përkatëse të cilët rezultojnë të vjedhur në Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Në vijim të veprimeve, u blokuan të tre automjetet, si dhe u referuan materialet në prokurori, për procedura të mëtejshme.