Gjatë fluksit të hyrje-daljeve me rastin e festave të fundvitit, policia kufitare ka bllokuar 5 automjete të vjedhura në pikën kufitare të Kakavijës, ndërsa janë proceduar penalisht 5 shtetas, ndërmjet tyre edhe një shtetas grek, për veprën penale “Trafikim i mjeteve motorike”.
Konkretisht policia kufitare në bashkëpunim me Frontex më 31 dhjetor të 2019, kanë bllokuar një automjet të markës Opel me targa shqiptare, që drejtohej nga shtetasja E. G., nga Gjirokastra, mjet i cili rezultoi i vjedhur në Gjermani dhe numri i shasisë ishte me ndërhyrje.
Më datë 2 Janar 2020, në dalje të kufirit u bllokua një automjet i markës Mercedes Benz me targa greke, që drejtohej nga shtetasi G. N., nga Lushnja, mjet i cili rezultoi se kishte ndërhyrje mekanike në shasinë e tij dhe numri ishte i dubluar.
Më datë 3 Janar 2020, në hyrje të kufirit u bllokua një automjet i markës Volksëagen me targa greke, që drejtohej nga shtetasi F. D., nga Rrogozhina, mjet i cili rezultoi i vjedhur ne Greqi.
Më datë 3 Janar 2020, në dalje të kufirit u bllokua nje automjet i markës BMË X5, me targa greke që drejtohej nga shtetasi K. T., nga Athina, mjet i cili kishte ndërhyrje në numrin e shasisë dhe rezultoi i vjedhur në Greqi.
Më datë 3 Janar 2020, në dalje të kufirit shqiptar u bllokua një rimorkio me targa shqiptare, e cila numrin e shasisë e kishte të dubluar dhe me ndërhyrje mekanike, që e posedonte shtetasi A. K., nga Kruja.
Policia Kufitare në bashkëpunim me FRONTEX-in, vijon kontrollet jo vetëm në Pikat e Kalimit, por edhe në kufirin e gjelbër, për të parandaluar, evidentuar dhe goditur paligjshmërinë.
Gjatë 24 orëve të fundit, kanë hyrë dhe kanë dalë 9760 shtetas dhe 1730 mjete, nga këta: 3900 shtetas dhe 620 mjete në hyrje dhe 5860 shtetas 1110 mjete në dalje.
Për të eliminuar radhët, Policia Kufitare ka shtuar sportelet në dalje. Aktualisht vijon puna me 9 sportele, 6 në dalje dhe 3 në hyrje. Në momente kur fluksi është i madh, Policia Kufitare aplikon kontrollet e lehtësuara kufitare, pa anashkaluar kontrollet e automjeteve në bazë të analizës së riskut, për të parandaluar trafikimin e lëndëve narkotike dhe falë këtyre kontrolle, një ditë më parë u sekuestruan dy pako heroinë dhe u vu në pranga poseduesi.