Bllokonin mbylljen e mjeteve, vidhnin portofola e celularë

AKTUALITET


Dy persona, që përdornin një mekanizëm të veçantë për të bllokuar mbylljen e automjeteve me pult dhe më pas vidhnin celularë dhe portofola që gjendeshin brenda tyre, janë zbuluar nga policia e kryeqytetit dhe njëri prej tyre është arrestuar, ndërsa tjetri është shpallur në kërkim. Hetimi për zbulimin e tyre është realizuar nga komisariati nr. 1 i Tiranës, ku janë zbuluar të paktën gjashtë vjedhje me të njëjtin mekanizëm, të gjitha të realizuara pranë liqenit të Farkës.

Policia tha se gjatë operacionit, i cili u kodua “Liqeni” u arrestua një 32-vjeçar dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, por 32 vjeç. Të dy personat e akuzuar për vjedhje rezultojnë se kanë qenë të dënuar dhe më parë për të njëjtën vepër penale. Sipas policisë, dy personat, me iniciale, A. A., i arrestuar dhe K.K., i shpallur në kërkim, dyshohet se janë autorë të vjedhjeve të ndodhura në parkimet e automjeteve në zonën e liqenit të Farkës, ku pasi bllokonin me një aparat valët e pultit për mbylljen e automjetit, ose edhe thyenin xhamat, merrnin nga mjetet sendet që ndodheshin brenda tyre.

“Nga veprimet procedurale të kryera, si dhe bazuar në këqyrjen e pamjeve filmike, të cilat u janë sekuestruar subjekteve pranë vendeve të vjedhjeve, dyshohet se këta dy shtetas janë autorë të 6 vjedhjeve të kryera më parë në automjete në zonën e liqenit të Farkës”, tha policia, të cilat kanëe ndodhur nga muaji korrik deri në muajin shtator.

Gjatë operacionit policor janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjeti që posedohej nga A. A., një pult dhe një aparat, i cili u shërbente autorëve për bllokimin e valëve të pultit për mbylljen e automjeteve. Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”.



Skip to toolbar