Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte trajtuar më herët rastin e Agron Malajt, Kryetar i Bashkisë Mat për dënimin e marrë në vitin 1999 për armëmbajtje pa leje, por ka vendosur pro kandidimit të tij, pasi sipas vendimit të KQZ, vepra penale për të cilën është dënuar ai nuk bie ndesh me ligjin për dekriminalizimin.
Rasti i Malajt është trajtuar nga KQZ më 15 maj 2019 para se emri i tij të publikohet në listën e kandidatëve zyrtarë. Nga verifikimi i formularit të vetëdeklarimit, rezulton se Agron Rufat Malaj ka deklaruar, se meVendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, nr.57 datë 07.10.1999 është deklaruar fajtor për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”, parashikuar nga neni 278/2 i Kodi Penal dhe është dënuar më10 muaj burgim.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar informacion nga zyra e gjendjes dhe zyra e gjendjes gjyqësore për kandidatët për Kryetar Bashkie, që kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Zyra e gjendjes gjyqësore ka dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, verifikimin e gjendjes gjyqësore, sipas së cilës rezulton se Agron Malaj në bazë të me vendim nr.57, dt. 07/10/1999, Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Mat e ka deklaruar fajtor për veprën penale të mbajtjes pa leje të armeve luftarake, parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal. Në këto kushte, KQZ ka konstatuar se të dhënat e deklaruara nuk përbëjnë kusht për mosregjistrimin si kandidatit sipas ligjit 138/2015 dhe ka vendosur të lejojë kandidimin e tij.
PD pretendon se ky kandidim bie në kundërshtim me ligjin dhe për këtë arsye i është drejtuar prokurorisë për verifikim. Por prokuroria heton vetëm fshehjen e dënimit në formular dhe në këto kushte do të duhej vetëm një interpretim ligjor nga Gjykata Kushtetuese nëse zgjedhja e tij është në kundërshtim me ligjin, apo jo. Realstory.al