Bollino: Nuk ka më ku të shkojë! Sali Berisha, një i burgosur pa pranga

Më të fundit


Nga Carlo Bollino

Pas tre vitesh hetime, SPAK hap kapakun e skandalit mbi privatizimin e ish-klubit Partizani. Të parët që po shkojnë në burg janë përfituesit kryesorë të skandalit, Jamarbër Malltezi, i cili përdori pushtetet e vjehrrit, në atë kohë kryeministër, për të garantuar procedurat e privatizimit të një strukture sportive që nuk mund të privatizohej, gjithashtu dhe Fatmir Bektashi, biznesmen që ndërtoi 19 kullat mbi ato toka. Një ndërtim gjigand prej miliona eurosh, ku Jamarbër Malltezi është pronar 50% edhe pse në bankë atëherë kishte vetëm rreth 30 mijë dollarë. Prej kësaj lind akuza për pastrim parash nga ana e SPAK: Pra për të ndërtuar ato kulla akuzohet se ka përdorur para’ të pista, me të ngjarë frut i korrupsionit të familjes. Skandali ka përfshirë edhe ministra, oficerë të lartë të ushtrisë dhe zyrtarë të tjerë të asaj kohe.

Bashkë me Jamarbër Malltezin dhe Fatmir Bektashin SPAK nuk ka kursyer as Sali Berishën: duke mos mundur ta arrestojë (pasi është deputet dhe ndoshta duke marrë në konsideratë edhe moshën e tij) ndaj tij është firmosur detyrim paraqitje në polici dhe ndalim për t’u larguar nga Shqipëria. Pas 32 vitesh abuzimesh të pandëshkuara, kjo është hera e dytë (pas dënimit që mori për shpifje ndaj meje), që një gjykatës guxon ta prekë.

Në këtë moment Sali Berisha nuk mund të shkojë në Shtetet e Bashkuara pasi është shpallur person “non grata” për korrupsion të rëndë. Nuk mund të shkojë në Angli pasi është deklaruar person “non grata” për lidhje me krimin e organizuar. Nuk mund të largohet as nga Shqipëria pasi po hetohet për skandalin e klubit Partizani. Dhe, kulmi i ironisë, për 10 ditët e ardhshme nuk mund të hyjë as në Kuvend pasi është pezulluar për shkak të protestës qesharake të dy ditëve më parë, kur inskenuan një marrje pushteti me rrëmbimin e karrikeve dhe të kartave të deputetëve socialistë si të ishte një puç komedianësh. Pra, Sali Berisha është tani si një i burgosur pa pranga, i cili, për shkak të fajeve të tij nuk ka më ku të shkojë. Madje edhe prezenca në selinë e Partisë Demokratike është e paligjshme, pasi ai e ka pushtuar atë pa pasur asnjë legjitimitet.

Tamam nga kjo seli akuzoi SPAK-un se arrestoi dhëndrrin Jamarbër Malltezi si një akt politik: “Kur bëhen arrestime politike, atëherë ka diktaturë” deklaroi ai. Më shumë se sa një vetëmbrojtje, duket një pranim faji mbi historinë e vet meqë faktikisht ka qenë ai që inauguroi “stinën” e arrestimeve të vërteta politike, kur futi në burg liderin e atëhershëm të opozitës, Fatos Nanon.

I vetmi vend ku sot Sali Berisha është i lirë të qëndrojë, është shtëpia e tij, ku do të bënte mirë të mbyllej. Pak nga turpi e pak për të shijuar vitet e fundit të një pensioni të pamerituar.



Skip to toolbar