Borrell: BE-ja nuk po bën garë me SHBA-në në lidhje me dialogun

AKTUALITET


Bashkimi Evropian nuk është në garë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lidhje me lehtësimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar të enjten në Prishtinë, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Këto komente, Borrell i bëri pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Zyrtari i lartë i BE-së tha se Bashkimi Evropian është i përkushtuar që të lehtësojë arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne jemi këtu që ta lehtësojmë marrëveshjen mes Serbisë dhe Kosovës. Të njëjtën gjë po e bën edhe zoti Grenell. Unë nuk po shoh se ka dallim. Ne nuk po bëjmë gara njeri me tjetrin, ne duam të punojmë së bashku pa dallime, nuk po kërkojmë që të arrijmë patjetër sukses, por po kërkojmë që të jemi aty, të bëjmë shërbimin tonë, dhe të arrijmë një rezultat”, tha Borrell.

Shefi i diplomacisë evropiane tha se Bashkimi Evropian nuk do të duket i kompletuar pa përfshirjen e Ballkanit Perëndimor.

“E di dhe i shoh vuajtjet dhe problemet që ju dhe shtet e tjera i kanë pasur dhe ne duam të sigurojmë stabilitet dhe siguri për secilin. Nuk po e themi këtë për shkak të publikut, por sepse e mendojmë kështu. Kjo është edhe në interesin tonë gjithashtu. Stabiliteti në rajon dhe siguria, prosperiteti e liria e secilit shtet në Evropë është në prioritetin tonë”, tha Borrell.

Ai tha se Brukseli do të dëshironte që ta sheh sa më shpejt qeverinë e re të Kosovës të formuar për të vazhduar punët e shumta që e presin.

Ndërkaq, duke u ndërlidhur me procesin e liberalizimit të vizave, për çka edhe janë rritur frustrimet në Kosovë, Borrell tha se nuk mund të garantojë asgjë pasi që vendimi merret nga shtet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Mund të them se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizmin e vizave dhe është koha e duhur që të lëvizet dhe të përfundohet me kërkesat teknike”, tha ai.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se vizita e Borrell-it në Prishtinë, është shumë e rëndësishme në një kohë vendimtare, siç tha ai, për të ardhmen e Kosovës.

“Vetë vizita e parë që Borrell po e zhvillon në Kosovë për të vazhduar tutje në rajon e Ballkanin Perëndimor, tregon rritjen e vëmendjes së BE-së drejtë Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi. Në një moment vendimtar për të ardhmen e vendit tonë, integrimet euroatlantike për zhvillimin ekonomik, anëtarësimin në NATO e BE”, tha Thaçi.

Në emër të institucioneve të Kosovës, Thaçi i ka shprehur shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, edhe zhgënjimin me mungesën e vendimit të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Kosova është padrejtësisht e anashkaluar, pasi Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret që nevojiten për liberalizim të vizave”, tha Thaçi.

Thaçi tha se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është jetike për paqen dhe stabilitetin në rajonin dhe më gjerë.

“Pra çelësi i arritjes së marrëveshjes është integrimi evropian dhe koordinimi i ngushtë në mes BE-së dhe SHBA-së. Natyrisht çelësi i suksesit është marrëveshja e drejtë, që nënkupton njohje reciproke dhe anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, tha Thaçi.

Gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë, Josep Borrell, mes tjerash, ka zhvilluar edhe një takim me disa nga drejtuesit e partive parlamentare në Kuvendin e Kosovës dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh mandatar për formimin e qeverisë së re të Kosovës ka shkruar në Twitter se me Josep Borrellin, Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, ka shprehur qëndrimin se dialogu me Serbinë duhet të rishikohet dhe të rinisë.

“Diskutim i frytshëm sot me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell në vizitën e tij të parë në Kosovë. Theksova se dialogu i lehtësuar nga BE-ja duhet të rishikohet dhe të rinisë. Bashkimi Evropian është një fuqi për të mirë dhe mbetet i domosdoshëm për të ardhmen e rajonit”, ka shkruar Kurti në Twitter. (REL)



Skip to toolbar