Borrell: Kosova dhe Serbia me parakushte për njëra-tjetrën

KOSOVA


Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha të enjten vonë se Kosova dhe Serbia nuk qenë të gatshme të pajtohen me njëra tjetrën në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u takuan me udhëheqësit e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, presidentin francez, Emannuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni, në kuadër të përpjekjeve perëndimore për të çuar përpara zbatimin e marrëveshjes së arritur më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër.

Takimet që ishin paraparë të zgjasnin vetëm 30 minuta për secilën palë, vazhduan deri në orët e vona të mbrëmjes dhe përgjatë tërë kohës pati një ndjenje optimizmi te zyrtarët evropianë.

Zoti Borrell tha se “për t’i nxitur palët që të arrijnë një marrëveshje ne së bashku paraqitëm një propozim evropian serioz e të balancuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ngulëm këmbë që palët të shfrytëzojnë këtë mundësi, që do të ishte një hap i madh përpara për normalizimin e marrëdhënieve dhe për të shmangur një spirale të re dhune. Për fat të keq palët nuk qenë të gatshme të pajtohen për këtë pa parakushte, që ishin të papranueshme për palën tjetër”, tha ai duke nënvizuar se përpjekjet do të vazhdojnë por pa dhënë ndonjë njoftim se kur mund të vazhdojnë bisedimet.

Më 21 tetor të dërguarit amerikanë dhe evropianë u dorëzuan palëve një dokument për zbatimin e marrëveshjes, pjesë e së cilës ishte edhe, siç thanë zyrtarët në Bruksel, “një propozim bashkëkohor evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, që është edhe pika më e vështirë e procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha përmes një komunikate se ishte i gatshëm të nënshkruante projektin e ofruar nga diplomacia perëndimore për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiç se e refuzoi atë.

“Kryeministri Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruajë edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe SHBA-ja për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike. Përkundër kësaj oferte gjeneroze të Kryeministrit Kurti, Presidenti i Serbisë, Vuçiç, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore, me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023”, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrit Kurti.

Presidenti serb Vuçiç, u tha gazetarëve se Serbia është e gatshme për zbatimin e Asociacionit “në përputhje me propozimet që kemi marrë, më 21 tetor”, por theksoi se gjatë bisedimeve të sotme me udhëheqësit evropianë “ e kam thënë qartë se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, apo pavarësinë dhe tërësinë tokësore të Kosovës”.

Ai tha se nuk është shtruar çështja e nënshkrimit apo mosnënshtrimit gjatë bisedimeve, ndërsa e cilësoi propozimin e 21 tetorit si një bazë të mirë për vazhdimin e diskutimeve në të ardhmen.

Marrëveshja e Ohrit, për të cilën palët u pajtuan më 18 mars, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Por, marrëveshja që do të duhej të ulte tensionet mes palëve, u pasua me shtimin e tyre dhe ato arritën një shkallë të lartë me 24 shtator, kur një polic i Kosovës u vra dhe dy të tjerë mbeten të plagosur nga pasojat e një sulmi nga një grup serbesh të armatosur në fshatin Banjskë në veri. Tre nga sulmuesit mbetën të vrarë.

Ngjarja nxiti shqetësimin e diplomacisë perëndimore për qëndrueshmërinë në rajon duke bërë që NATO-ja të shtojë trupat në terren dhe diplomatët perëndimorë të shtojnë përpjekjet për uljen e tensioneve dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

Diskutimet e së enjtes mund të pasqyrohen edhe në debatet përgjatë takimit të lartë të udhëheqësve të 27 vendeve anëtare të BE-së të cilët pritet të miratojnë përfundimet në të cilët palëve do t’u kërkohet që të përmbushin të gjitha detyrimet nga marrëveshjet “pa vonesa dhe pa parakushte”.

Në tekstin paraprak të përfundimeve “shprehet shqetësim i thellë” për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, dënohet sulmi i 24 shtatorit mbi policinë e Kosovës dhe i kërkohet Serbisë bashkëpunim në hetimin dhe ndriçimin e ngjarjeve.



Skip to toolbar