Bota e sportit dhe kryesisht futbollit është solidarizuar me tragjedinë që preku Shqipërinë, pas tërmetit të së martës. Klube, bashkime tifozerish brenda dhe jashtë shqipërisë, drejtues ekipesh, trajner e personalitete të ndryshme, kanë shprehur solidaritetin e tyre me këtë tragjedi të rëndë. Presidenti i FSHF, Armand Duka, duke shprehur solidaritetin në emrin e tij, ndau dhe një mesazh publik mesazhet e solidaritetit që kishte marrë nga drejtues të federata homologe apo drejtues të UEFA.
“Miqtë e FSHF dhe Shqipërisë solidarizohen me ne, në këtë ditë të vështirë! Mora telefonata, mesazhe dhe propozime për ndihmë konkrete nga Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, Zv/Presidenti Sándor Csányi, Presidenti i Federatës Italiane Gabriele Gravina, trajnerët De Biasi, Panucci, Reja e shumë miq të tjerë. Biseda vëllazërore lidhur me situatën e krijuar nga tërmeti pata edhe me homologët e mi, Presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi dhe Presidentin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini, të cilët shprehën solidaritetin dhe mbështetjen e tyre. Mirënjohje!”, shkruan Duka
Me një reagim në rrjetet sociale, ish-trajneri i kombëtares Giani de Biassi, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, ndërs inkurajon Shqipërinë të përballojë këtë tragjedi me forcë. “Me gjithë zemrën time shpreh afërsinë, dhimbjen time, për viktimat dhe për të gjithë popullsinë e goditur nga tërmeti në Shqipëri. Shpresoj shumë që të ktheheni në normalitet sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe se ka një ndihmë thelbësore për njerëzit që kanë humbur shtëpinë e tyre! Ngushëllime për ata që kanë humbur të dashurit në këtë përvojë të dhimbshme. Guxim dhe shumë forcë reagimi”, shkruan De Biassi.
Ndërkohë, grupime tifozësh, me Tifozat Kuq e Zi, “Dardanët”, “Plisat” dhe shumë grupime të klubeve në Shqipëri, kanë shprehur solidaritet dhe kanë nisur punën për të mbledhur ndihma të cilat më pas do të dërgohen në zonat e prekura nga tërmeti. Ndërkohë, klubi i Tiranës ngriti një minikamp në stadiumin “Selman Stërmasi” për tu ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti në Tiranë.