Pas dorëheqjes së 3 drejtorëve nga Kadastra e Vlorës, brenda një muaji, zëvendës kryeministri Erion Braçe ka zbarkuar mëngjesin e së martës në këtë institucion ku ka bërë një vizitë të panjoftuar.
News 24 raporton se Braçe ka qenë i pranishëm në zyrat e Kadastrës para orarit zyrtar, pra para orës 8 të mëngjesit për të inspektuar situatën.
Zëvendës kryeministri Braçe ka pasur qëllim përveç të tjerash të shohë edhe zbatimin e orarit të punonjësve të këtij institucioni.
Sakaq, ai ka takuar edhe disa qytetarë të pranishëm ku është njohur me problematikat që ata i kanë shprehur sa i takon këtij institucioni.
Vizita blic e Braçes vjen disa javë pas një situate kaotike me emërime dhe shkarkime të drejtuesve të Kadastrës dhe punonjësve të saj.
Pas dorëheqjes së drejtoreshës së këtij institucioni, Elona Hodaj dhe zv/drejtorit, Krenar Xhemali, Kadastra e Vlorës funksionon me drejtues të komanduar. Hodaj dhe Xhemali dhanë dorëheqjen më 8 tetor dhe shkak është bërë një vendim i Gjykatës së Lartë për një pronë në bregdet në Jalë. Në datën 11 shtator zbarkoi në këtë institucion anti-krimi ekonomik, ndërsa në hetim u vendosën 23 punonjës, pasi akuzohen se kanë tjetërsuar pronën e një personi në Jalë duke ia kaluar një tjetri.