Shpesh herë në Shqipëri për të përfunduar një punë publike, shkatërrohet një tjetër. Një rast i tillë ka ndodhur edhe në Bashkinë e Divjakës, pikërisht në njësinë administrative të Gradishtës, fakt që ka sjellë reagimin e ashpër të zëvendëskryeministrit, pasi një kompani, e cila ka fituar një tender për hapjen e kanaleve vaditëse ka shkatërruar rrugën dhe nuk e ka kthyer në gjendje e mëparshme në përfundim të punimeve.
Braçe thotë se për këtë çështje ka kontaktuar si Bashkia, ashtu edhe Ministria e Bujqësisë me kompaninë, e cila deklarohet se është një kompani kineze, por që pavarësisht tej afateve ligjore nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
“Detyrimi në kontratë thotë që kompania duhet të kthejë në gjendjen e mëparshme çdo rrugë që dëmton. Në fakt e ka shkatërruar! Bashkë me ministrin e bujqësisë, Bashkinë Divjakë, kemi 3 muaj që i kërkojmë kompanisë të rindërtojë këtë rrugë dhe çdo rrugë parcelash që ka shkatërruar me mjetet e rënda. Për turp, jo vetëm që është vonuar përtej çdo caku, por dhe nuk përmbush kontratën në pikën e rindërtimit të çdo gjëje që ka shkatërruar”, shprehet Braçe.
Madje, ai paralajmëron që nëse kompania kineze nuk rindërton rrugën e shkatërruar, atëherë do e kallëzojë penalisht. Ai i bën thirrje edhe të gjitha institucioneve që të mos pranojnë të marrin në dorëzim veprat, nëse ato nuk realizohen sipas kontratave. “Ndryshe përgjegjësia ligjore do të jetë shumë e rëndë mbi ju!”, paralajmëron zëvendëskryeministri.
Në zona të ndryshme vihet re se punimet për ujësjellës, kanalizime, ndriçime sjellin dëmtime në infrastrukturën rrugore, që mbetet e pariparuar, pavarësisht se në kontratat e lidhura çdo kompani që kryen punë publike duhet të riparojë çdo dëmtim të shkaktuar gjatë punimeve.