Shqipëria ka pësuar rënie të ndjeshme të emigrimeve në Gjermani, krahasuar me vendet e tjera të rajonit në Ballkanin Perëndimor. Kjo vërehet nga shifrat e Zyrës së Statistikave në Wiesbaden, ku rezulton se vendi ynë është i parafundit sa i përket emigrimit në Gjermani, duke rrëzuar kështu pretendimet e opozitës, e cila prej muajsh akuzon Ramën për braktisjen e vendit nga shqiptarët, duke e cilësuar një kërcënim serioz që edhe mund t’i kthejë vizat Shqipërisë.
Por ndryshe nga pretendimet e opozitës, sipas statistikave gjermane rezulton se Shqipëria ka zënë vendin e parafundit për vitin 2018 pë vendet e rajonit, sa i përket numrit të emigrantëve të hyrë në Gjermani, ku rezulton se numër më të lartë emigrantësh ka edhe Maqedonia e Veriut, e cila është në pritje si Shqipëria për hapjen e negociatave.
Sipas zyrës së statistikave gjermane, gjatë vitit 2018 kanë hyrë në Gjermani 1.185.000 persona me shtetësi të huaj nga vendet tjera, që është një plus prej 416.000, krahasuar me një vit më parë. Numri më i madh i personave të ardhur në Gjermani është shënuar në kohën e ardhjes masive të refugjatëve, në vitin 2015, me rreth 1,5 milionë.
Ndër vendet me numrin më të madh të personave të ardhur nga vendet e Ballkanit Perëndimor, rezulton se janë Bosnja me 12 418 persona, Kosova me 11 949 persona, Serbia me 8509 persona, Maqedonia e Veriut me 7812 persona, Shqipëria me 7517 persona dhe Mali i zi me 841 persona. Pra Shqipëria rezulton e dyta nga numri i ulët i emigrimeve në Gjermani, ku para saj është vetëm Mali i Zi.
Megjithatë, krahasuar me vitin e pararendës, Shqipëria rezulton se ka rritur numrin e emigrantëve në Gjermani, por në kuotime është poshtë vendeve të tjera të rajonit.
Gjermania ka pasur shifra të larta hyrjesh si vend i lakmuar edhe nga vende brenda BE. Sipas shifrave, rezulton se kanë ardhur 202 000 persona me nënshtetësi të ndonjë vendi anëtar të BE. Më së shumti kanë ardhur nga Rumania me 68 000 persona, Kroacia me 29 000 dhe Bullgaria me 27 000 persona. /Realstory.al