Bregu: Inovacioni do t’i mundësojë grave fuqizimin ekonomik

AKTUALITET


Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së Majlinda Bregu dhe Zëvendëskryeministrja bullgare Mariya Gabriel u dorëzojnë çmimet fituesve

Sofie – Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) shpalli fituesit e Çmimit Rajonal të Inovacionit “Butterfly 2023, në një ceremoni të organizuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, të mbajtur sot në Sofje. “Urime – shpresojmë që Çmimi i Inovacionit “Butterfly” t’ju mbështesë në lundrimin në tregje sfiduese. Disa nga fituesit e vitit të kaluar kanë përmirësuar zgjidhjet e tyre e po mendojnë të zgjerohen në tregje të reja, ndaj shpresoj se ky çmim do t’u japë një shtysë të fortë drejtë suksesit edhe produkteve tuaja inovative”, tha me këtë rast Sekretarja e Përgjithshme e RCC, Majlinda Bregu.

Fituesit e gjashtë kategorive janë:
ü Në kategorinë Çmimi i Inovacionit të Industrisë: Ekipi AgAR, nga Serbia, për një mjet autonom bujqësor robotik pa pilot në tokë për të ripërcaktuar peizazhin e bujqësisë.
ü Në kategorinë Gruaja Inovative: Team Kungul, nga Shqipëria për një aplikacion celular që ofron informacione thelbësore mbi kancerogjenët e mundshëm, alergjenët dhe kimikatet e dëmshme në kozmetikë dhe ofron alternativa të shëndetshme.
ü Në kategorinë Çmimi i Inovacionit të Gjelbër: Ekipi PowerWheel nga Maqedonia e Veriut, për rrotat e fuqisë që përdorin lëvizjen rrotulluese të bagazheve, karrocave të blerjeve, shtretërve spitalorë dhe karrocave për fëmijë për të karikuar pajisjet elektronike.
ü Në kategorinë çmimi i inovacionit STEM: Ekipi malazez Flourish, për një trajner digjital të fokusuar në zhvillimin e përballueshëm të inteligjencës emocionale, duke përdorur ushtrime interaktive, të personalizuara dhe në formë lojrash për të rritur inteligjencën emocionale.
ü Në kategorinë Çmimi Inovacioni Universitar: Ekipi Kosovar Robotic Hand për dorën robotike vendimtare për protetikën funksionale.
ü Në kategorinë e të rinjve: Team QManager nga Bosnja dhe Hercegovina për një sistem të menaxhimit të radhëve të krijuar për rritjen e efikasitetit nëpër zyra të ndryshme administrative, duke përfshirë bankat, qendrat e administratës së qytetit dhe qendrat e shërbimit.

“Investimi në Kërkim dhe Zhvillim (R&D) në rajonin tonë mbetet mjaft i ulët – më pak se 1% e PPB-së ndërsa në BE kjo shifër është 2.3%. Për të përmbushur premtimin e mekanizmave të inteligjencës artificiale sot edhe politikat duhet të jenë të zgjuara. Si pjesë e Planit të ri- të BE-së- të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, së shpejti do të nisë një para-përshpejtues rajonal i fokusuar në teknologjinë e thellë (deep-tech). Jemi të kënaqur të shohim që përpjekjet tona po japin fryte. Po synojmë gjithashtu që një segment i kësaj nisme të mbështesë ekipet e inovacionit në fazat e hershme përtej teknologjisë së thellë”, shtoi Bregu.

Ballkani Perëndimor ka ndryshuar shumë në dekadat e fundit. Konkurrenca globale për inovacionin dhe transformimin digjital është pika e re ideale, por për fat të keq, performanca e inovacionit të BP është nën 70% të asaj të BE-së. Indeksi Global i Inovacionit 2023 i rendit ekonomitë tona midis vendit 53 dhe 84.

“Nga ana tjetër, rajoni po performon mirë kur bëhet fjalë për STEM. Përqindja e grave në profesionet STEM është mbi 40%, dhe kjo është një arsye tjetër, që e kam shumë për zemër, pse inovacioni është kaq i rëndësishëm për shoqëritë tona. Ai përdor pikat e forta të grave. Përdorimi i inovacionit do t’u mundësojë grave të marrin pjesë në ekonominë digjiitale dhe të kenë akses në shërbimet digjitale, të cilat janë thelbësore për fuqizimin ekonomik. Sapo ka përfunduar fushata vjetore e 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore. Ka një të vërtetë të artë në këtë histori: gratë e pavarura ekonomikisht mund t’i shpëtojnë ciklit të dhunës”, përfundoi Bregu.

RCC do të zbulojë së shpejti një platformë në internet që synon të lidhë gratë e suksesshme në STEM me profesionistë të rinj aspirantë – një hap kryesor brenda Rrjetit Rajonal të Grave në STEM të RCC

“Çmimet e Inovacionit “Butterfly” janë promovimi i krijimtarisë, mençurisë dhe angazhimit drejt inovacionit. Ato tregojnë se si mund të ndërtojmë një ekosistem ku inovatorët, studiuesit, sipërmarrësit, të rinjtë dhe gratë novatore punojnë së bashku për të mirën e rajonit. Unë u bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve të identifikojnë pikat e forta të rajonit të tyre, në mënyrë që të tregojmë se Ballkani Perëndimor mund t’i transformojë sfidat rajonale në mundësi. Talente, investime, shndërrimi i ideve në realitet: kjo është Europa.”- tha zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Mariya Gabriel.

Znj.Gabriel falenderoi znj. Bregu për angazhimin dhe përkushtimin në këtë process, rezultat i të cilit janë arritjet e jashtëzakonshme që po festojmë sot.

Çmimi Rajonal i Inovacionit “Butterfly” filloi vitin e kaluar në margjinat e Takimit Ministror BE-BP për Kërkimin, Inovacionin, Arsimin dhe Aftësitë – organizuar nga znj. Gabriel, në atë kohë në cilësinë e Komisioneres së BE-së.

Këtë vit, ne morëm 87 ide të jashtëzakonshme, në gjashtë kategoritë. Veçanërisht, kategoria e Industrisë kryesoi me gati një të tretën e propozimeve, e ndjekur nga kategoritë e Gjelbërta dhe Gratë. Për më tepër, u vu re një diversitet i jashtëzakonshëm në ide, duke përfshirë nga FoodTech në konceptet e ekonomisë qarkulluese, nga modelimi molekular deri te risitë EdTech. Në mënyrë të dukshme, gati gjysma e të gjitha ideve përqendroheshin në zgjidhjet digjitale, duke sinjalizuar një trajektore premtuese drejt një tranzicioni digjital.

Bregu dhe Gabriel zhvilluan një takim dypalësh më herët sot, ku diskutuan bashkëpunimin e ardhshëm jo vetëm në inovacion, por edhe në axhenda të tjera të bashkëpunimit rajonal, pasi Bullgaria është një mbështetëse e vendosur e bashkëpunimit në Evropën Juglindore dhe një nga pjesëmarrësit më aktivë të RCC.

Çmimi i Inovacionit Butterfly është pjesë e “Zonës Rajonale të Inovacionit” të Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (2021-2024). Nisma u krijua në vitin 2021 për të inkurajuar dhe promovuar zgjidhje inovative, të shkallëzuara dhe të bazuara në treg nga Ballkani Perëndimor. Qëllimi i Çmimit të Inovacionit Butterfly është të promovojë kulturën e inovacionit në Ballkanin Perëndimor përmes shfaqjes së arritjeve të suksesshme inovative dhe fuqizimit të grupeve të ndjeshme si të rinjtë dhe gratë. Në periudhë afatgjatë ai synon të mbështesë zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor duke përqafuar transformimin dixhital dhe duke nxitur qëndrueshmërinë mjedisore.



Skip to toolbar