1 javë, maksimumi 10 ditë. Kaq i duhen maxhorancës për të shkarkuar presidentin Meta dhe nuk do të ngrejë asnjë komision hetimor. Deklarata është bërë nga ministrja Olta Xhaçka. Ajo ka bërë të ditur se kërkesa për shkarkimin e Metës do të diskutohet në komisionin e ligjeve i cili harton raportin dhe më pas ai votohet në seancë. Por socialistët do t’i japin mundësi presidentit të argumentojë dhe njëherë arsyet për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit në Komisionin e Ligjeve.
“Sot për sot, kërkesa e deputetëve firmëtarë i ka shkuar Komisionit të Ligjeve. Komisioni i Ligjeve shqyrton kërkesën e deputetëve paligjshmëritë, antikushtetutshmërinë e veprimeve të presidentit.
Më pas Komisioni e kthen ose i bën kërkesë Parlamentit të votojë shkarkimin e presidentit. E gjitha mund të ndodhë në një javë ose 10 ditë. Nuk ka pse të ketë Komision Hetimor. Mund ta bëjë dhe Komisioni i Ligjeve. Ndoshta do të thërrasë dhe vetë Presidentin, kam përshtypjen të hënën. Më pas Komisioni del me një vendim që ja dërgon Kuvendit. Procedura është më e shpejtë nga sa e parashikuat ju”, u shpreh Ministrja e Mbrojtjes, Xhaçka në A2 Cnn.
Mesa duket gjërat janë mjaft të qarta. Presidenti sipas PS ka shkelur kushtetutën dhe nuk ka nevojë për një komision hetimor. Raporti hartohet nga komisioni i ligjeve dhe më pas kërkesa për shkarkim miratohet në seancë. PS vërtetoi herën e fundit me miratimin e rezolutës se kishte jo 93 vota (aq i duhen për shkarkimin e presidentit), por 100 të tilla. Kështu për 10 ditë, me votë parlamenti Meta nuk do të jetë më president. Fjalën e fundit gjithsesi e jep Gjykata Kushtetuese, ndaj formalisht Meta do të vazhdojë do të qëndrojë në presidencë deri në një vendim të prerë të gjykatës.