Bundestagu dhe qeveria gjermane kanë kërkuar nga qeveria shqiptare që zëri shqiptar të jetë i bashkuar në prag të vendimit për hapjen e negociatave, pasi informacione shpesh të kundërta lënë vend për perceptime jo të mira në Gjermani dhe në BE.
Kjo deklaratë i është komunikuar ministrit të Brendshëm Lleshaj dhe ministres së Drejtësisë, Gjonaj, të cilët po zhvillojnë një vizitë pune për integrimin europian të vendit
Në vijim të rekomandimit pa kushte të Komisionit për hapjen e negociatave të BE-në me Shqipërinë, delegacioni shqiptar informoi partnerët kyç në Gjermani mbi ecurinë e reformave shtet-formuese të ndërmarra nga Qeveria shqiptare si dhe përmbushjen plotësisht të kushteve të vendosura nga Këshilli Europian në Qershorin e 2018.
Bisedimet mes palëve u fokusuan në arritjet e Qeverisë shqiptare Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë në luftën kundër krimit të organizuar, reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.
Ashtu si edhe Raporti i Komisionit evidenton, lufta kundër krimit të organizuar është intensifikuar ndjeshëm, sidomos në muajt e fundit, përmes operacioneve të përqendruara ndaj grupeve aktive, duke i zvogëluar hapësirën e veprimit, nëpërmjet përfshirjes, koordinimit dhe harmonizimit të përpjekjeve të gjitha agjencive ligj zbatuese në vend.
Përfaqësuesit e Qeverisë dhe Parlamentit Gjerman, duke njohur dhe vlerësuar progresin e arritur, shprehën mbështetje për Shqipërinë, dhe nxitën që zëri shqiptar të jetë i bashkuar, pasi informacione shpesh të kundërta lënë vend për perceptime jo të mira në Gjermani dhe në BE.
Një shqetësim i ngritur për Shqipërinë ka qenë ai i azilkërkuesve. Në lidhje me këtë fenomen, ministri Lleshaj theksoi se Shqipëria është një vend i sigurt, ku të drejtat e njeriut janë të mbrojtura, e kësisoj çdo përpjekje për të siguruar azil në vendet e BE-së, në mënyrë abuzive, duhet penguar në bashkëpunim mes autoriteteve të dy vendeve. “Shqipëria vazhdon të ushtrojë kontroll të rreptë në Pikat Kufitare, por lufta e vërtetë qëndron në goditjen e rrjeteve të organizuara të trafikut njerëzor, që kamuflohen me veprimtari turistike ose mbështetje sociale”, deklaroi Lleshaj.