Burg për Adriatik Llallën, Apeli lë në fuqi vendimin

AKTUALITET


Dënohet me 2 vite burg ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin në fjalë, që përfshin edhe 5 vite heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike si dhe konfiskim të pasurisë. Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar dhe u zëvendësua nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.

Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.

Më pas, dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në korrik 2018, gjykata respektive vendosi sekuestron e pronave të ish-Prokurorit të Përgjithshëm. Në një njoftim për shtyp të atëhershëm, Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se Llallës iu vendosën nën sekuestro një apartament 67 metra katrorë në Durrës dhe katër parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 22 mijë metrash katrorë në periferi të Tiranës.

Megjithatë, akuzat u rrudhën dhe SPAK njoftoi të më 9 mars përfundimin e hetimeve vetëm për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tri herë.



Skip to toolbar