Gjykata e Kavajës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”, për shefin e sigurisë së Burgut të Durrësit, Bledar Toçi, i akuzuar për vrasjen me dashje të Dritan Haxhollit. Më herët, gjykata la në burg vëllain e tij, Benardin për posedim të lëndëve narkotike.
Në kërkesën e Prokurorisë për vleftësimin e arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit, shpjegohet se Marsida Qatja i kërkoi ndihmë mikut të saj, Bledar Toçi, që të ndërhynte për t’i zgjidhur një problem që kishte me ish-të dashurin e saj, Dritan Haxholli.
Toçi i ka premtuar asaj se do ta ndihmonte dhe e kanë lënë të takohen në shtëpinë e 30-vjeçares. Oficeri i burgjeve ka mbërritur në shtëpinë e Marsida Qatjas rreth orës 20:30 të mbrëmjes, bashkë me dy miqtë e tij, Xhulio Biturku dhe Ermir Çela.
Këta të fundit kanë qëndruar në shtëpinë e Qatjas, ndërsa Toçi ka dalë dhe është kthyer pas 30 minutash me disa doza kokaine, të cilat nga hetimet paraprake rezulton t’i ketë marrë nga i vëllai, Bernardi. “Në mbrëmje, Marsida Qatja, Bledar Toçi dhe dy të tjerët kanë konsumuar alkool dhe kokainë“, thuhet në dokumentin e organit të Akuzës.
Me këto argumente, prokuroria ka kërkuar burg për policin e burgjeve, ndërkohë që avokati mbrojtës ka kërkuar “arrest shtëpie” për shkak të gjendjes shëndetësore të të akuzuarit, i cili është plagosur në qafë dhe ndodhet në spital.
Megjithatë, Gjykata e Kavajës ka marrë parasysh kërkesën e prokurorisë, duke lënë në burg policin e sigurisë në Burgun e Durrësit, Bledar Toçin, i cili akuzohet për vrasjen e Dritan Haxhollit.
Ngjarja në fjalë ndodhi ditën e enjte, në lagjen nr. 2 të Kavajës. Nga ambientet e spitalit të Durrësit, atje ku ai qëndron i shtruar pas një plumbi që mori në qafë (e qëlloi viktima), Toçi është njohur me masën e sigurisë. Pas masës së sigurisë, avokati është pyetur nëse do të apelonte këtë vendim, por ai tha se fillimisht do të konsultohet me familjen e klientit të tij.