Burgu rus e quan Navalnyn “terrorist”

BOTA


Udhëheqësi i opozitës në Rusi, Aleksei Navalny, tha se zyrtarët e burgut e kanë shpallur atë “person që përkrah ideologji ekstremiste dhe terroriste”.

Në një postim në Instagram, Navalny shkroi se komisioni i burgut ka votuar njëzëri për emërtimin e ri.

Për rrjedhojë, ai do të duhet të veshë tani pantallona burgu me një shirit të gjelbër poshtë këmbës.

Navalny tha se përcaktimi “terrorist” zakonisht është i rezervuar për “myslimanët, nacionalistët dhe fanatikët e futbollit”.

I njëjti komision tha se Navalny nuk paraqet më kërcënim për arratisje.

Autoritetet ruse nuk e konfirmuan ndryshimin e statusit të tij.

Navalny, 44 vjeç, është arrestuar në një aeroport të Moskës në muajin janar, menjëherë pasi është kthyer nga Berlini, ku është shëruar nga helmimi me agjent nervor.

Navalny është helmuar në gusht të vitit të kaluar, në një fluturim drejt Siberisë, ndërsa laboratorët perëndimorë kanë treguar se agjenti i përdorur në sulm ka qenë Noviçok.

Ai ka thënë se atentati kundër tij është urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin, por këto pretendime janë hedhur poshtë nga Kremlini.

Në fillim të shkurtit, një gjykatë në Moskë ka konstatuar se Navalny, gjatë kohës sa ka qenë në Gjermani, ka shkelur dënimin me kusht, të shqiptuar më herët për një rast të përvetësimit të fondeve.

Gjykata ka urdhëruar Navalnyn që të shërbejë dy vjet e gjysmë në burg./REL



Skip to toolbar