Bushati në Real Story: Nuk jemi imunë ndaj virusit rus

POLITIKË


Influenca ruse në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, është bërë temë diskutimi në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24. Deputeti socialist, Ervin Bushati, tha se Shqipëria nuk është imune ndaj rrezikut rus, për faktin se është një vend pro-amerikan dhe anëtar i NATO-s.

“Ne mendojmë meqë jemi pro amerikanë dhe jemi në NATO, mund të jemi shumë imunë ndaj një virusi të tillë, apo ndonjë ndikimi të Rusisë apo faktorëve të tjerë, por në fakt sot në të gjithë botën po vërehet si nga BE, ashtu edhe nga SHBA, mënyra sesi ndikon një vend i tillë si Rusia, por edhe forca të tjera, duke përdorur mënyra të ndryshme nga ato që jemi mësuar si përballje të vërteta, qoftë ushtarake dhe ideologjike, kjo “cyber world”, mënyra e ndikimit kibernitik, apo mënyra si mund të ndërpritet në procese demokratike, në vende që ata nuk janë lojtarë kryesorë, të bëjnë që patjetër të mendosh në një mënyrë më proaktive sesi mund të marrësh masa. Pra vetëm fakti që ne jemi pro amerikanë dhe e kemi ndarë mendjen në këtë pikë, e kemi hedhur pas atë histori, s’na bën ne imunë nga virusi i ndikimit në situata të tilla që Rusia apo vende të tjera, patjetër që mund të kenë”, tha Bushati.

Deputeti foli dhe për rezolutën e PS të dërguar në Kuvend për ndërhyrjet e huaja në zgjedhje, ku tha se ka të bëjë me dezinformimin dhe mënyrën si financohen burimet për të shpërndarë dezinformim. “Rezoluta që po përgatisim ka të bëjë me dezinformimin, por dhe për mënyrën si financohen burimet për të shpërndarë dezinformim. Duhet që qytetarët, media, industria, të jetë e mbrojtur, ta imunizojmë sa më shumë nga këto ndikime”, tha Bushati.



Skip to toolbar