Pjetrin e propozoi Bushati

POLITIKË


Edhe pse ai e kishte promovuar Valdrinin në takimet elektorale, deri më sot Partia Socialiste kishte heshtur për rolin e Bushatit në përzgjedhjen e kandidatit për Shkodrën, por këtë heshtje e ka thyer numri dy i PS, Taulant Balla, i cili me tone të zbutura ka deklaruar se vetë ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka propozuar Valdrin Pjetrin për kryetar bashkie.

“Ish-ministri Bushati është pjesë e Kryesisë së PS-së dhe në cilësinë e të deleguarit politik ka qenë propozuesi i kandidaturës në kryesi. Bashkë, unë si sekretar i përgjithshëm, ai, kryetari i partisë, kryesia e partisë, falje i kanë kërkuar popullit të Shkodrës që nuk mund të fillojmë punën menjëherë prej 21 gushtit për të ndryshuar qeverisjen vendore të Shkodrës”, deklaroi Taulant Balla gjatë një interviste në Report Tv. Sekretari i Përgjithshëm i PS, edhe më herët ka deklaruar se i ka kërkuar falje shkodranëve për propozimin e Valdrin Pjetrit, por jo se kjo ka qenë një kandidaturë e propozuar nga Bushati, i cili pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës së kaluar, foli me tone të ashpra ndaj partisë së tij për rastin e emërimit të Valdrin Pjetrit si kandidat për kryetar bashkie në Shkodër. Ish-drejtuesi politik, aktualisht deputet i Shkodrës, kritikoi PS, duke u shprehur se “duhej të kërkohej falje”, për Valdrin Pjetrin. Megjithatë, ky duket një standard i dyfishtë i deputetit socialist, pasi ai vetë e ka propozuar dhe promovuar Valdrin Pjetrin si ‘djalë të Shkodrës’ e duke kërkuar mbështetje për të.

Në fjalimin e datës 20 qershor në mitingun elektoral në këtë qytet, gjatë fjalës së tij Ditmir Bushati do të shprehej kështu për Valdrin Pjetrin: “Është kjo arsyeja përse ne prezantojmë një djalë të Shkodrës, një djalë të shkolluar të Shkodrës, një djalë i cili edhe kur ka qenë me studime në Itali, edhe kur ka ushtruar detyra të rëndësishme në administrimin publik nuk e ka humbur asnjëherë lidhjen me Shkodrën. Ai është Valdrin Pjetri. Ne jemi të bindur që me Valdrin Pjetrin, shërbëtorin numër 1 të këtij qyteti, ne do të kemi mundësinë të hapim një kapitull të ri për Shkodrën që duam, për Shkodrën e Shekullit 21… Ndaj sot dua t’u kërkoj që me brohoritje të mbështesim Valdrinin”, shprehej ndër të tjera Bushati.



Skip to toolbar