Cakaj: Pse BE duhet të mbajë premtimin për negociatat

AKTUALITET


Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj ka reaguar me një mesazh në prag të nisjes së takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të unionit në Luksemburg. Cakaj shkruan se BE duhet të mbajë premtimet e bëra dhe sot duhet të marrë vendimin për çeljen e negociatave. Ai thotë se Shqipëria ka ndërmarrë reforma të guximshme dhe se tani është kthyer në shembull për rajonin përsa i takon reformës në sistemin e Drejtësisë.

“Sot përballemi me një zgjedhje historike. Vendimi i sotëm do të jetë një test, i aftësisë për të përmbushur premtimet e saj dhe për të parë të ardhmen. Kemi ndërmarrë reforma ambicioze dhe kurajoze në sistemin e drejtësisë, duke u bërë shembull në të gjithë rajonin. Tani është koha për të hapur bisedimet e pranimit”, shkruan Cakaj.

Më tej ministri në detyrë i kujton BE-së se vendimi kundër do të rrisë rrezikun e rivalëve strategjikë në Ballkan, duke nënkuptuar ndikimin rus.

“Një vonesë tjetër mund të ngadalësojë/dëmtojë progresin dhe reformat; do të minojë besueshmërinë dhe do të rrisë rrezikun e rivalëve strategjikë në Ballkan. Kjo është ora e Europës. Nuk kemi nevojë për një rrugë të ngushë, të kufizuar; të lënë si një ishull pa interes, të lënë të paangazhuar; por kemi nevojë për një rrugë të hapur, të drejtë, një fener shpresë në kohë të trazuara”, shkruan Cakaj.

Gjatë martës mblidhen në Luksemburg ministrat e Jashtëm të BE të cilët ndër të tjera do të diskutojnë për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Malin e Zi. Katër ministra të jashtëm një ditë më herët deklaruan mbështetjen e tyre për Shqipërinë dhe Malin e Zi dhe i bënë thirrje BE-së të vendosë pro çeljes së negociatave dike vënë theksin tek përmbushja e kushteve nga të dy shtetet. Konkretisht hapjen e negociatave e mbështesin ministri i jashtëm i Çekisë Tomáš Petříček, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó, ministri i Jashtëm i Polonisë, Jacek Czaputoëicz si dhe ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajčák. /realstory.al



Skip to toolbar