“Kosova, anëtare në Kartën e Adriatikut”

AKTUALITET


Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj gjatë fjalës së mbajtur në Takimin e Komisionit të Partneritetit të Kartës SHBA-Adriatike (A5), kërkoi anëtarësim e Kosovës në këtë nismë duke theksuar se kjo do të garantonte më shumë siguri dhe stabilitet në rajon.

Cakaj theksoi domosdoshmërinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal në përballimin e sfidave aktuale për sigurinë e rajonit si dhe vuri në dukje kontributin e Shqipërisë në përballimin e tyre.

Ministri e vuri theksin gjithashtu mbi domosdoshmërinë e zgjerimit të Kartës me vende të tjera të rajonit si Kosova, duke argumentuar se kjo do të kontribuojë jo vetëm në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal për përballimin e sfidave por edhe në integrimin e plotë euro-atlantik të tij. Sipas ministrit, Karta SHBA-Adriatike, ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndihmë të integrimit Euro-Atlantik të vendeve tona, duke e shndërruar rajonin në një prodhues të sigurisë.

Nga ana e tyre, vendet pjesmarrëse, pasi vlerësuan lart fokusin e Shqipërisë në kryesimin e Kartës SHBA-Adriatike përgjatë këtij viti, mbështetën domosdoshmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit rajonal për përballimin sa më efektiv të sfidave dhe kërcënimeve aktuale për sigurinë rajonale e më gjerë.  

Takimi i shërbeu ilustrimit të aktiviteteve të Kryesisë shqiptare që në përputhje me fokusin e vënë gjatë kryesimit të kësaj nisme, u fokusua në forcimin e bashkëpunimit rajonal mes vendeve anëtare dhe vëzhguese të A-5, në funksion të përballimit të sfidave të përbashkëta të sigurisë dhe kryesisht, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Po ashtu, takimi i kushtoi vëmendje përpjekjeve për integrimin europian atlantik të rajonit si dhe domosdoshmërisë së zgjerimit të Kartës SHBA-Adriatike me Kosovën.   

Ky takim shënoi edhe fundin e kryesisë shqiptare të Kartës SHBA-Adriatike pas së cilës, zyrtarisht, kryesinë e merr Bosnjë-Hercegovina.



Skip to toolbar