Shefja e ONM-s Genoveva Ruiz Calavera vlerësoi arritjen e bërë në reformën në drejtësi duke deklaruar se gjatë gjithë kësaj kohës “është punuar për të konsoliduar një drejtësi të llogaridhënies dhe transparente.” Gjatë fjalës së saj në inaugurimin e shtëpisë së re të drejtësisë për administratën e KLP dhe KLGJ, që do të quhet “Poli i Drejtësisë”, Calavera, shefja e ONM, që merret me monitorimin e vettingut të prokurorëve dhe gjyqtarëve, tha se reforma nuk mund të arrihet në një ditë, por është në rrugë të mbarë për të qenë e suksesshme. Në këtë mënyrë ajo i është përgjigjur akuzave të presidentit Meta, i cili tha se kishte kërkuar ngritjen e KED në 2017 dhe 2018, por ky proces ishte bllokuar nga vetë ndërkombëtarët dhe kryeministri Rama.
” Reforma nuk mund të arrihet në një ditë. Duhet të jemi krenarë me atë që është arritur. Proverba thotë se Roma nuk është ndërtuar në një ditë, kështu që një reformë e tillë nuk mund të bëhet në një ditë, por do vite dhe integritet. ” – tha Calavera
Calavera tha se ishte pikërisht miratimi i kësaj reforme që hapi dyert e Shqipërisë për proceset integruese drejt Bashkimit Europian duke iu bërë thirrje të gjithë aktorëve të marrin pjesë në proces pa asnjë vonesë.
‘Ju bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të ndërmarrin procesin pa asnjë vonesë. Jam krenare që kemi punuar për krijimin një drejtësie të llogaridhënies dhe transparencës. Reforma në Drejtësi është një mundësi, pasi do të jenë brezat e ardhshëm që do të na gjykojnë, është një mundësi për të çelur derën për në BE. “- tha Calavera
Presidenti Ilir Meta më herët sulmoi ndërkombëtarët dhe kryeministrin Rama për mungesën e Gjykatës Kushtetuese, duke deklaruar se ajo nuk është ngritur për shkak të presioneve të mazhorancës ndaj Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe tërheqjes së ekspertëve të Euralius dhe OPDAT. Meta tha se KED është bllokuar si në vitin 2017, ashtu edhe në vitin 2018 nga mazhoranca me presion që të mos bëjë verifikimin e kandidatëve për të plotësuar vendet bosh në Gjykatën Kushtetuese.
Mirëpo në fakt e vetmja arsye pse kandidatët e KED nuk u zgjodhën ishte se fillimisht duhet të kalonin vetë procesin e vettingut para se të verifikonin kandidatët për Gjykatën Kushtetuese. Faktet flasin se shumica e atyre kandidatëve nuk arritën ta kalonin atë.