Ditën e martë (sot) në orën 13.00 do të jepet pretenca e prokurorisë për dosjen “Babale”, ku mes të akuzuarve është edhe ish deputeti i PD-së, Ervin Salianji. Partia Demokratike njofton se të gjithë anëtarët e ish Grupit parlamentar të PD-së “do të marrin pjesë në gjyqin e ngritur kundër Ervin Salianjit, pas denoncimit me fakte se vëllai i ministrit të brendshëm, Fatmir Xhafaj, vazhdonte të ishte i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Sot është Pretenca e Prokurorisë dhe ish deputetët do të tregojnë solidaritetin e tyre me kolegun Salianji”, njofton selia blu.
Ish deputeti Ervin Salianji akuzohet se ka mashtruar publikun duke bërë akuza të rreme me audio-përgjimin ku dëgjohej dëshmitari X, Alber Veliu i njohur ndryshe si Babale, sikur bisedonte në telefon me vëllain e ish ministrit Fatmir Xhafaj, Geron (Agron) Xhafaj duke bërë pazare për trafik të mundshëm droge. Por pas hetimeve rezultoi se audio përgjimi ishte fals dhe ishte i inskenuar. Madje kjo u pranua edhe nga Fredi Alizoti, një nga të pandehurit për kallëzim të rremë për çështjen “Babale”.
Në dëshmitë e tij para gjykatës Fredi Alizoti ka pranuar se ka imituar zërin e Agron Xhafës, vëllait të ish ministrit Fatmir Xhafa, ku e implikonin në një bisedë për trafikun e drogës. Para prokurorisë dhe trupit gjykues, Alizoti pranoi akuzat për kallëzim të rremë dhe tha se ky ishte një plan i thurur së bashku me Albert Veliun që në vitin 2017, pasi ish-deputeti Ervin Salianji do t’i jepte atyre 200 mijë euro.
Akuza zyrtare e Prokurorisë është “kallëzim i rremë në bashkëpunim” dhe parashikon burgimin deri në 5 vjet heqje lirie për ish-deputetin Ervin Salianji, i akuzuar si organizator, së bashku me gazetarin Jetmir Olldashi dhe të pandehurit Veliu dhe Alizoti.