I dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës që përjashton dinarin nga përdorimi duhet të zgjidhet në tryezën e dialogut në Bruksel. Ai tha se nuk mund të ketë lëvizje të njëanshme dhe se lëvizje të tilla do të kenë pasoja.
Escobar tha për Tanjug se ky vendim i ri duhet t’i komunikohet qytetarëve që preken nga ky vendim për një kohë të bollshme dhe tha se SHBA është e gatshme t’i ndihmojë të dyja vendet. “Besoj që ishim shumë të qartë në këtë. Duhet të zgjidhet përmes dialogut të lehtësuar nga BE dhe gjithashtu duhet të komunikohet me kohë të mjaftueshme dhe lajmërime të mjaftueshme te popullata e prekur. Dhe ne qëndrojmë gati që të ndihmojmë të dyja vendet që të zgjidhin këtë çështje, por të dy [vendet] duhet të kthehen në dialog dhe të respektojnë marrëveshjet ekzistuese”, tha Escobar në një pritje në Uashington me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë.
Më 1 shkurt, në Kosovë ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb. Ky vendim ka rritur shqetësimet serbëve lokalë, të cilët marrin paga dhe pensione nga Serbia me dinarë, por edhe e përdorin këtë valutë për shitblerje.