Kur flet drejtësia, politika hesht! Ky është rregulli, por jo në Shqipëri. Partitë opozitare, PD dhe LSI janë marrë gjërë e gjatë me vendimin e së enjtes të Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila e dënoi ish ministrin Tahirin me 3.4 vite shërbim prove për veprën penale të shpërdorimit të detyrës duke rrëzuar akuzat e prokurorisë për trafik droge e grup kriminal, për shkak se mungonin provat.
Në emër të PD-së Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, ndërsa komentoi vendimin e gjykatës, hodhi akuza në drejtim të kryeministrit Rama duke thënë se ai ka kapur drejtësinë duke bërë edhe prokurorin edhe gjykatësin.
“Vendimi që shpëtoi Saimir Tahirin nga burgu ishte një goditje e rëndë për të gjithë shqiptarët që shpresuan deri në minutën e fundit se drejtësia do të triumfonte, se politikanët e pushtetshëm, më në fund, do të ndëshkoheshin dhe se ligji do të ishte i barabartë për të gjithë.
Rasti i Saimir Tahirit u tregoi shqiptarëve se Edi Rama dhe Saimir Tahiri janë një, janë pjesë e së njëjtës kupolë mafioze që e shndërroi Shqipërinë në parajsën e krimit të organizuar dhe të kultivizimit dhe trafikimit ndërkombëtar të drogës.
Rasti i Saimir Tahirit u tregoi shqiptarëve se drejtësia në Shqipëri është e pashpresë, përsa kohë ajo do të vazhdojë të mbahet peng nga Kryeministri, i cili qëndron në pushtet me votat e blera me bandat e trafikut ndërkombëtar të drogës.
Rasti i Saimir Tahirit u tregoi shqiptarëve se me Edi Ramën kryeministër, kryeprokuror dhe kryegjykatës, nuk ka ndëshkim nga drejtësia, as për krimi, as për politikanët e lidhur me krimin.
Saimir Tahiri doli i paprekur nga drejtësia, sepse Edi Rama është peng i dosjeve të korrupsionit dhe i lidhjeve kriminale të tij dhe të familjes së tij”, tha Bardhi.
Ndërsa LSI reagoi përmes Erisa Xhixhos e cila tha se pandëshkueshmëria vazhdon të jetë sëmundje e pashërueshme e institucioneve në Shqipëri. Ajo tha se gjykatat përdorin standarde të dyfishta në marrjen e vendimeve.
“Pandëshkueshmëria vazhdon të jetë sëmundje e pa shërueshme e institucioneve të zbatimit të ligjit. Si mos mospërfillje ndaj detyrimeve që Shqipëria duhet të përmbushë edhe në kuadër të integrimit europian, pandëshkueshmëria u dëshmua në mënyrë më flagrante me farsën gjyqësore ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri, i cili u dënua për “Shpërdorim detyre”, si dëshmi e shpërdorimit prej shefit të madh, i cili natyrisht pasi e përdori viktimën e vet për të kanabizuar vendin , e dënoi viktimen e vet vetëm për “Shpërdorim detyre”.
Por nuk është vetëm pandëshkueshmëria sëmundje e pashërueshme e institucioneve të zbatimit të ligjit ne Shqiperi, por edhe standardi i dyfishtë.
Sepse, ndërsa Saimir Tahiri dënohet me shërbim prove, ata që nuk janë në shërbim të shefit të madh përfundojnë në burg edhe kur mbrojnë shtëpitë e tyre prej vjedhjes së pushtetit të shefit të madh.
Përfundojnë në burg edhe pse nuk kanë mundësi të paguajën faturat e energjisë elektrike, përfundojnë në burg edhe pse nuk pranojnë të mbyllin gojën dhe të bëhen servilë dhe shërbëtorë të pushtetit kriminal të shefit të madh”, u shpreh Xhixho.