Shtetet e lëkundura, të njohura gjithashtu si shtetet e “fushëbetejës”, janë shtetet ku gara është shumë e ngushtë, dhe ato historikisht janë lëkundur midis votimit për një parti apo tjetrën në zgjedhjet presidenciale. Ndërsa shumica e shteteve, votojnë vazhdimisht përgjatë linjave partiake – gjatë viteve 2000-2016, 38 shtete votuan për të njëjtën parti politike – këto shtete marrin një vëmendje të madhe nga kandidatët dhe anketuesit.
Kolegji Zgjedhor u jep fuqi shteteve
Etërit Themelues të SHBA-së, ishin të ndarë mbi mënyrën se si duhej të zgjedhur presidenti. Disa donin që Kongresi të zgjidhte udhëheqësin e kombit, të tjerët donin që atë ta zgjidhnin qytetarët me votën e tyre. Kolegji Zgjedhor u krijua si një kompromis.
Kushtetuta i garanton çdo shteti një numri zgjedhësish, bazuar në një total të kombinuar të delegatëve të shtetit në Senat dhe Kongres. Janë gjithsej 538 vota të Kolegjit Zgjedhor, dhe kandidatëve për president u duhen 270 vota elektorale për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë.
48 nga 50 shtete kanë një sistem të tipit “fituesi i merr të gjitha”, që do të thotë se kush fiton votën popullore, i fiton të gjitha votat e kolegjit elektoral të atij shteti.
Dy shtete – Mein dhe Nebraska – përdorin metodën e qarkut kongresual, që do të thotë se ato
i ndajnë dy vota elektorale për fituesin e votës popullore në atë shtet, dhe një votë elektorale fituesit të votës popullore në secilin qark kongresual. Presidentët mund të fitojnë votën popullore, dhe të humbin votën e Kolegjit Elektoral.
Dhe kjo gjë ndodhur 5 herë, së fundmi në zgjedhjet e vitit 2016, kur Hilari Klinton mori 2.8 milion vota popullore, sesa fituesi i Kolegjit Zgjedhor Donald Trump, pabarazia më e madhe në histori.
Meqë 38 nga 50 shtetet kanë votuar për të njëjtën parti që nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2000, është relativisht e lehtë të parashikohet se cilat shtete do të votojnë për një kandidat demokrat dhe cilat për një republikan. Janë shtetet që nuk votojnë vazhdimisht përgjatë linjave partiake, ato që përcaktojnë nëse një kandidat do të fitojë apo humbasë:shtetet e lëkundura.
A ka pasur gjithnjë shtete të lëkundura?
Ka një arsye kryesore pse ekzistojnë shtetet elektoralisht të lëkundura në Shtetet e Bashkuara. Sistemi zgjedhor në SHBA, është i strukturuar rreth shteteve. Siç shpjegon Xhon Hudak, një anëtar i vjetër i Institutit Brukings:”Sistemi ynë zgjedhor presidencial, është krijuar për t’i bërë shtetet si njësinë më të rëndësishme zgjedhore”.
Hudak vlerëson se zgjedhjet presidenciale shumë konkurruese të vitit 1800 midis Aron
Bërr dhe Tomas Xhefersonit, e rritën interesin e politikanëve për të fituar në shtete të veçanta.“Pas vitit 1800, shtetet filluan të kenë një qasje të vendosur, për të siguruar numërimin dhe raportimin e saktë të votave.
Me kalimin e kohës, politikanët e kuptuan si funksiononin zonat elektorale të një shtetit, ndërsa edhe konkurrenca u rrit”-thotë Hudak. Ndërkohë Dejvid Shulc, botues i librit “Shtetet e lëkundura në zgjedhjet presidenciale: Pse kanë rëndësi vetëm 10 prej tyre”, bashkë me Stejsi Heht, thotë se shtetet e lëkundura filluan të shfaqeshin pas Luftës Civile.
“Në vitin 1860, çështja e skllavërisë krijoi shtete të lëkundura si Ohajo”- thotë Shulc. Ai shpjegon se Partia Republikane ishte themeluar vetëm disa vjet më parë në Uiskonsin, dhe ajo po rritej shumë në shtetet e Mes-perëndimit. Partia u bë e njohur për mbështetjen e heqjes së skllavërisë dhe ruajtjen e Unionit.
“Shtetet e Veriut votuan për Linkolnin. Ato të jugut për kandidatin demokrat. Ishin shtete si Ohajo, ato që vendosën ekuilibrin. Asnjë republikan nuk e ka fituar presidencën, nëse nuk fitonte në Ohajo”- thotë Shulc. Ndërsa koncepti është po aq i vjetër sa Kolegji Zgjedhor, termi “shtet i lëkundur” është relativisht modern.
Ai u përdoror për herë të parë nga gazeta “The New York Times” në vitin 1936, kur presidenti Frenklin Ruzvelt po bënte fushatë në Perëndim. Por ky term u bë shumë më popullor në zgjedhjet e shumë kontestuara të vitit 2000, kur gazetarët mbuluan “fushëbeteja” si ajo e Floridës.
Pse kanë rëndësi shtetet e lëkundura?
Pretendimi se “çdo votë ka rëndësi”, është veçanërisht i vërtetë në shtetet e lëkundura. Këtë e kanë vërtetuar zgjedhjet me rezultat të ngushtë përgjatë historisë amerikane: Herri S.Truman e mundi Tomas Djuin në vitin 1948, me më pak se 1 për qind të votës popullore në shtetet atëherë të lëkundura si Ohajo, Kalifornia, Indiana, Ilinois dhe Nju Jorku, një garë aq e ngushtë sa shumë gazeta e shpallën gabimisht fitues pikërisht Djuin.
Në zgjedhjet presidenciale të vitit 1960, midis Riçard Niksonit dhe Xhon Kenedit, 10 shtete u fituan me më pak se 2 për qind diferencë. Dhe në vitin 2000, rezultati i zgjedhjeve u përcaktua nga fituesi i Floridës, shtet të cilin Xhorxh Ë.Bush e mori me një diferencë prej vetëm 537 votash.
Pesha që kanë këto shtete në rezultatin përfundimtar, bën që kandidatët të shpenzojnë 75 për qind ose më shumë të buxhetit të fushatës, në përpjekje për të fituar mbështetjen e tyre. Kandidatët i vizitojnë shumë më shpesh shtetet e lëkundura gjatë fushatës, duke anashkaluar shpeshherë shtetet e tjera. “Shtetet e lëkundura, janë në fakt e gjithë fushata presidenciale”- thotë Hudak.
Çfarë dinamike krijojnë shtetet e lëkundura?
Tre faktorë kryesorë mund të krijojnë shtete të lëkundura, dhe këto faktorë shpesh mbivendosen dhe janë të gjithë në lojë:
- Ndryshimet demografike. Zonat urbane priren të votojnë për demokratët, dhe ato rurale për republikanët. Kur qytetarët largohen nga zonat me prirje liberale apo nga qytetet e mëdha, për t’u vendosur në qytete më të vogla ose në zona më rurale, ata mund ta ndryshojnë ekuilibrin midis palëve.
- Polarizimi ideologjik:Qendra Kërkimore Pju, ka zbuluar se ndarja ideologjike midis partive kryesore, nisi të zgjerohej në vitet 2000. “Para viteve 1990, kishte një numër të konsiderueshëm republikanësh liberalë në veri, dhe demokratësh konservatorë në jug. Ndërsa partitë ndajnë, ato mund të ndryshojnë nëse një shtet është i lëkundur apo jo”- thotë Hudak.
- Politika e moderuar:Në një shtet me votues më të moderuar, ndarja midis republikanëve dhe demokratëve ngushtohet, gjë që e bën më të vështirë përcaktimin e rezultatit të zgjedhjeve. Hudak thotë se shtetet si Meini dhe Nju Hempshajëri “kanë shumë votues të moderuar, me mendje të pavarur, të cilët diktojnë konkurrencën midis 2 partive”.
Hudak shton se ndërsa vendi ka evoluar, po kështu ka ndodhur edhe me numrin dhe identitetin e shteteve të lëkundura. “Akti për të Drejtat e Votimit, ka pasur një ndikim të madh në të drejtën e votës për afro-amerikanët, të cilët nuk mund të votonin deri 50 vjet më parë në vende si Teksasi, Karolina e Veriut dhe Xhorxhia”- thotë Shulc.
Shtetet e lëkundura në presidencialet e këtij viti
Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, Donald Trump, fitoi përmes Kolegjit Zgjedhor në 6 nga 10 shtetet më të lëkundura. Këtë vit fushëbetejat e mundshme midis Xho Bajdenit dhe Donald Trumpit mund të jenë Arizona, Florida, Xhorxhia, Ajoua, Meini, Miçigani, Minesota,Nebraska, Nevada, Nju Hempshajëri, Karolina e Veriut, Ohajo, Pensilvania dhe Uiskonsin. / bota.al