Bisedimet e së enjtes ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, nuk shënuan ndonjë përparim, por të gjitha palët u pajtuan vetëm për një gjë – vazhdimin e bisedimeve për të shmangur tensionet në terren.
Më 31 korrik rrugët në veriun e Kosovës u bllokuan nga grupe serbësh për të kundërshtuar vendimin e qeverisë së kryeministrit Kurti që dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia, të mos vlejnë në territorin e Kosovës.
Beogradi zbaton masa te njëjta për qytetarët e Kosovës që kalojnë nëpër Serbi gjatë 10 viteve të fundit.
Qeveria e Kosovës vendosi të shtyjë për një shtator zbatimin e vendimit të saj me kërkesë të diplomacisë amerikane. Të enjten palët dështuan të merren vesh, por shefi I Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell tha se udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, u pajtuan të vazhdojnë diskutime.
“Ka ende kohë deri më 1 shtator. Sot nuk ka një marrëveshje, por ne nuk dorëzohemi. Duhet të vazhdojmë të diskutojmë. Ne duhet të kërkojmë zgjidhjen që procesi të vazhdojë”, tha zoti Borrell.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të enjten vonë në një paraqitje në rrjetet sociale tha se ishte një ditë e vështirë për Serbinë.
