Ministrat e Jashtëm të NATO-s, po diskutojnë tensionet në Ballkanin Perëndimor, mes thirrjeve për shtimin e pranisë ushtarake të aleancës për shkak të shqetësimeve se situata e pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë mund të rrisë paqëndrueshmërinë në rajon.
Nisur dhe nga sulmi i fundit ndaj Policisë së Kosovës,ministrat e Jashtëm thanë se aleanca do të shqyrtojë shtimin e pranisë afatgjatë në rajon. Stoltenberg tha se NATO do të bëjë gjithçka që është e nevojshme që të ruajë stabilitetin në rajon.
“Të jeni të sigurt se NATO do të bëjë gjithçka të nevojshme për të mbështetur dhe siguruar qëndrueshmërinë në rajon, sepse kjo është e rëndësishme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për të gjithë Evropën dhe NATO-n”, tha sekretari Stoltenberg, i cili bashkë me sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken vunë theksin te qëndrueshmëria në Ballkan.
Ne takimin e zhvilluar mes Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Stoltenverg dhe Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken u nda shqetësimi për rritjen e tensioneve, duke iu referuar veçanërisht retorikës nxitëse në Bosnje dhe tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë sulmin e 24 shtatorit në Banjskë dhe dhunën ndaj forcave paqeruajtëse të aleancës.
Në një nga seancat në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s u diskutua veçanërisht për gjendjen e sigurisë dhe demokracisë në Ballkanin Perëndimor ku mori pjesë Ndihmës Sekretari për Çështjet Europiane, James O’Brien.