Hill: Piramidat u ngritën nga paratë e embargos së naftës

#NËRADAR


Diplomati i parë amerikan në Shqipëri pas rënies së komunizmit, Christofer Hill ka rrëfyer ekskluzivisht në Real Story të Sokol Ballës disa të vërteta të forta për Shqipërinë në rrugëtimin e saj 30-vjeçar, i cili paralajmëroi edhe nga se duhet të shqetësohet vendi ynë, ku çështja kryesore mbetet influenca ruse. “Duhet të jeni vigjilentë dhe të shqetësuar për Rusinë”, ka paralajmëruar Hill në intervistën me gazetarin Sokol Balla, ku tregoi edhe disa të vërteta për burgosjen e Nanos, Pavarësinë e Kosovës, ndërsa jep këndvështrimin e tij për reformën në drejtësi hapjen e negociatave me BE-në. Në intervistën për gazetarin Balla, ai ka rrëfyer edhe një plagë të Shqipërisë, sesi u krijuan skemat piramidale në Shqipëri, duke e lidhur ngushtë atë me shkeljen nga vendi ynë të embargos me Jugosllavinë. “Nëse shihni me kujdes se si funksiononin ato skema piramidale, jepnin para që ishin këtu për shkak të kontrabandës së naftës dhe pas arritjes së paqes nuk ishte më nevoja për kontrabandë dhe skema piramidale kaloi në kolaps, duke shkaktuar që shumë njerëz të humbnin para”, ka deklaruar ish-ambasadori i parë i SHBA në Tiranë.

Sokol Balla: Zoti Hill shumë faleminderit që jeni në programin tim.

Christopher  Hill: Faleminderit ju, është kënaqësi të jem këtu.

SB: Cili është qëllimi i vizitës këtë herë?

CH: U ftova nga kjo organizatë ndërkombëtare që të jem pjesë e kësaj konference mbi “Paqen dhe Sigurinë” këtu në Ballkan. Ishte një mundësi për të ardhur dhe jam shumë i lumtur që jam këtu.

SB: Sa e ndryshme është Shqipëria që ju shihni sot, me Shqipërinë që ju keni parë në vitin 1991, mos gaboj?

CH: Po, ishte viti 1991. Nuk mund të gjykoj të gjithë Shqipërinë, por nga ajo që pashë në Tiranë, mund t’ju them me bindje ndryshimet e Tiranës së sotme dhe Tiranës 28 vite më parë. Ka shumë ndryshime.

SB: Ju ishit zyrtari i parë i SHBA që erdhët në Shqipëri, pasi ne rivendosëm marrëdhëniet diplomatike. E saktë?

CH: E saktë. Isha diplomati i parë i caktuar këtu. Kishim disa njerëz të përkohshëm, por unë isha i pari person i caktuar. Cilat ishin ndryshimet? Së pari ne nuk kishim një ambasadë, ambasada jonë ishte përdorur nga Italia, kështu që kishim dy dhoma në “Hotel Dajti”, dhoma 205 dhe 206. Punuam në Hotel Dajti për gati 3 muaj, deri në tetor 1991, kur ngritëm flamurin amerikan mbi ambasadën tonë dhe filluam punë. Ato ishin kohë të vështira, shumë të vështira. Kishte shumë probleme me energjinë elektrike, uji…

SB: Probleme sigurie?

CH: Probleme sigurie. Ishte disi e rrezikshme të ecje në rrugë natën, sepse nuk kishte drita dhe ndonjëherë kapakët e pusetave vidheshin dhe pa drita, mund të bije në gropë. Ishte e rrezikshme në fakt.

SB: Dhe pastaj gjëja e parë me të cilën ju u përballët ishte opozita e re…

CH: Në fakt, gjëja e parë ishte që me vënien në punë të ambasadës sonë, të ndihmonim Shqipërinë. Shqipëria kishte nevojë për ndihmë kudo. Përfshi ushqim e çdo gjë tjetër. Ne e bëmë atë. Padyshim ishin zgjedhjet që u zhvilluan në mars 1992 dhe problemi ishte që të përpiqeshim të qëndronim jashtë dhe jo të sugjeronim kë kishim të parapëlqyer, por që procesi të ecte përpara.

SB: Por ishte e vështirë, sepse Ambasadori Ryerson që erdhi u përfshi në zgjedhje dhe më parë ishte edhe vizita e Sekretarit të Shtetit Baker, e cila në fakt ishte një ngjarje e madhe dhe të cilën edhe sot ne e cilësojmë një pikë kthese…

CH: Ajo ishte një nga ngjarjet më të jashtëzakonshme që unë kam parë në karrierën time në shërbimin e jashtëm. Ishte pikërisht këtu, në sheshin Skënderbej dhe ishin 500 000 njerëz. Ishte e paharrueshme. Por më pas çështja ishte të merreshim me pritshmëritë e shqiptarëve ndaj SHBA dhe jo që ata të ishin të zhgënjyer, por të ishin realistë se çfarë mund të bëhej.

SB: Çfarë ndodhi nga 1992, kur këtu gjërat ndryshuan ku Partia Demokratike erdhi në pushtet dhe pastaj ju kishit 1 apo 2 vite në Shqipëri. Dhe më pas pamë një ish-kryeministër të shkonte në burg, nga ish-partia komuniste dhe papritur emri i Christopher Hill doli në skenë. Zoti Nano ju akuzoi që ju ishit direkt i përfshirë në burgosjen e tij.

CH: Ju siguroj që unë nuk kam qenë as direkt, as indirekt dhe në asnjë formë, në burgosjen e tij apo të asnjë tjetri. I kishim duart e zëna, duke u marrë me çështje tërësisht diplomatike. Por kur proceset demokratike ecin përpara, kur ka zgjedhje, ka një konkurrencë të ashpër mes shqiptarëve dhe në atë konkurrencë shume gjëra mund të thuhen.

SB: Partia Demokratike konsiderohej si një investim amerikan. Cila është e vërteta?

CH: Nuk ishte investimi ynë. Lidershipi i saj, nën Sali Berishën, i parapriu ardhjes sonë. Më kujtohet që kur ishte një mbledhje me opozitën, më kujtohet që një numër i tyre ishin aty, përfshi Berishën dhe Baker, ai ishte shumë të impresionuar nga kjo opozitë. Por sinqerisht ishte detyrë e opozitës që të ftonte shqiptarët dhe në një farë mënyre ata e bënë, duke thënë “Amerika është me ne”.

SB: Ambasadori Amerikan ishte pjesë e fushatës në atë kohë, pjesë e mitingjeve politike të opozitës…

CH: Nuk jam shumë i sigurt nëse është një qasje e drejtë ndaj ambasadorit. Ai u përpoq që të qëndronte jashtë asaj, por ndonjëherë ishte e vështirë, duke qenë në një takim me politikanë dhe njerëzit i drejtoheshin duke i thënë: A mund të thoni disa fjalë. Dhe ai deklaronte që jam shumë i lumtur që jam në Shqipëri mes shqiptarëve dhe ajo merrej si një miratim. Miratim politik.

SB: Unë ende e mbaj mend atë me dy gishtat lart…

CH: Po, e vërtetë. Unë gjithmonë jam munduar të mbaj pesë gishtat lart.

SB: Më pas, në kohën kur ne menduam që gjërat po shkonin për mirë, gjërat po shkonin keq dhe ne pamë përplasjen e parë mes asaj se çfarë Amerika kërkonte nga Shqipëria dhe çfarë qeveria shqiptare bënte. Pse? Pse ishte kjo periudhë problematike mes qeverisjes së parë demokratike dhe SHBA? Veçanërisht pas 1995-1996?

CH: Ajo ishte pas periudhës time këtu. Unë u largova nga Shqipëria për të drejtuar zyrën e Ballkanit në Departamentin e Shtetit. Punova me ambasadorin Holbrooke dhe ne merreshim me Bosnjën shumicën e kohës. Më vonë shkova në Maqedoni, në vitin 1996, për të qenë ambasador atje dhe gjatë asaj kohe mu kërkua që të merresha me çështjen e Kosovës. Mendoj që çështja e Kosovës kishte disa degëzime të mëdha me situatën këtu në Shqipëri. Ishte shumë kohë e vështirë për Shqipërinë, sidomos me disa nga sanksionet kundër Serbisë, ku serbët përpiqeshin t’i shmangnin ato, duke sjellë benzinë, nëpërmjet vendeve si Shqipëria. Ishte një kohë e vështirë për Shqipërinë.

SB: President Berisha tha më vonë, që ai e lejoi atë të ndodhte, pasi në të kundërt njerëzit në Kosovë do të vuanin nga uria.

CH: Mendoj që ishte një situatë që i shkaktoi shumë tendosje institucioneve shtetërore. Sepse kur ti ke njerëz që duhet të ndalojnë kontrabandën, ata duhet ta bëjnë atë. Ishte një kohë shumë e vështirë për Shqipërinë që të ecte përpara si demokraci, por mendoj që Shqipëria eci përpara.

SB: Duke thënë që situata në Kosovë pati degëzime në Shqipëri, mos po thoni që ajo që ndodhi në Shqipëri mes ‘97-‘99 kishte të bënte dhe me situatën në Kosovë?

CH: Them që kishte të bënte me situatën në Kosovë, sepse ajo që ndodhi ishte ajo që u quajt “skema piramidale” këtu. Por nëse shihni me kujdes se si funksiononin ato skema piramidale, jepnin para që ishin këtu për shkak të kontrabandës së naftës dhe pas arritjes së paqes nuk ishte më nevoja për kontrabandë dhe skema piramidale kaloi në kolaps, duke shkaktuar që shumë njerëz të humbnin para.

SB: Kjo është hera e parë që dëgjohet një gjë e tillë, veçanërisht e thënë nga një zyrtar i SHBA-ve në atë kohë, që paratë e kontrabandës ishin baza e piramidës?

CH: Fillimi, po!

SB: Dhe më pas doli nga kontrolli…

CH: Po, dhe njerëzit që ishin të fundit që kishin futur para, dolën që ishin humbësit më të mëdhenj.

SB: Më pas ju mbaj mend ju, kur u kthyet në Ballkan, në Shkup…

CH: Isha në Shkup nga 1996-1999 dhe gjatë asaj kohe isha dhe Negociatori i SHBA në Kosovë, duke u marrë me Milosheviçin, Rugovën, Thaçin dhe gjithë ata njerëz.

SB: Çfarë mbani mend nga ajo kohë?

CH: Kohë shumë e vështirë, sepse unë po përpiqesha të shisja diçka, që askush nuk e donte. Po përpiqesha të shisja një marrëveshje autonomie, për të cilën shqiptarët e Kosovës thoshin që ishte shumë pak dhe serbët thoshin që ishte shumë. Ishte shumë e vështirë të shisje diçka që askush nuk donte ta blinte.

SB: Çfarë e ndryshoi qëndrimin e SHBA mbi atë çështje? Çfarë e çoi nga një autonomi në një pavarësi të plotë?

CH: Mendoj ajo se çfarë ndodhi ishte që SHBA dhe unë, e shpërndamë këtë marrëveshje në një vend të quajtur Rambuje. Serbët e refuzuan dhe kosovarët e pranuan. Ata e pranuan propozimin tonë, serbët e refuzuan dhe një luftë nisi mbi të. Në atë pikë, kur lufta fillon, është e vështirë të kthehesh pas tek autonomia dhe ne për shkak të situatës që po zhvillohej, për shkak të të gjithë krizës në atë kohë, ishte e qartë që Kosova do të shkonte drejt pavarësisë. Asnjë nga vendet e BE nuk e pranoi atë, madje sërish kemi 5 vende që nuk e pranojnë. Por një gjë ishte, që shqiptarët ishin të arsyeshëm, ndërsa serbët nuk ishin dhe kjo ishte kosto.

SB: Gjithashtu mbaj mend, me korrigjoni nëse jam gabim, që qëlluan mbi ambasadën amerikane në Shkup.

CH: Kur lufta nisi, ne kishim disa vizitorë të paftuar, të cilët u mblodhën përpara ambasadës sonë, disa mijëra dhe i vunë zjarrin makinave tona, dogjën disa nga banesat pranë ambasadës. Ata morën shtizën e flamurit tonë dhe si në skenat e mesjetës, u përpoqën që përmes saj të hynin brenda në derën kryesore të ambasadës. Unë isha aty bashkë me 41 punonjës të ambasadës, amerikanë dhe maqedonas dhe na u desh që të prisnim për ndihmë nga ushtria. Ishte një ditë e gjatë.

SB: Ndoshta vetëm në Athinë, përjashtuar Lindjen e Mesme, unë kam parë skena të ngjashme kundër ambasadave amerikane…

CH: Në Kinë ka ndodhur. Por në atë ngjarje ne ishim të gjithë brenda dhe ishim të shqetësuar se nëse do lejonim godinën kryesore të digjej, ne nuk do kishim më oksigjen për të marrë frymë. Ishte një pasdite shumë e gjatë.

SB: Më kujton pak a shumë çfarë ndodhi vite më pas në ambasadën kur humbi jetën dhe ambasadori juaj.

CH: Po, e saktë. Por ajo çfarë i thashë stafit ishte që ne mund të gjenim mundësinë që të qëndronim, kështu që i kërkuam Qeverisë së Maqedonisë të mbyllte rrugën përpara ambasadës sonë, shtuam rojet, shtuam marinsat dhe asnjëherë nuk e mbyllëm ambasadën, ne qëndruam.

SB: Ju keni shërbyer në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni. Mendoj që ky është dhe fillimi i të kuptuarit që shqiptarët janë miqtë tuaj më të afërt në Rajon?

CH: Kam kaluar shumë kohë me shqiptarët, mos harroni dhe Nju Jorkun…

SB: Dhe tani ju ktheheni, gjërat kanë ndryshuar dhe sot kemi një Maqedoni tjetër. Ose më saktë, një tjetër shtet. Kemi një Maqedoni të Veriut.

CH: Nuk jam mësuar të them Maqedonia e Veriut, them Maqedonia, por më duhet ta mësoj veten që ka ndryshuar. Besoj që të gjithë vendet, Shqipëria, Maqedonia e Veriut fatin e tyre e kanë që të jenë plotësisht të angazhuar në rrugën euro-atlantike, janë në NATO dhe nuk kam asnjë dyshim që do të jenë edhe në BE.

SB: Jeni i sigurt për të fundit?

CH: Jam i sigurt për të fundit. E di që ka qenë frustruese dhe e vështirë për njerëzit në ditët dhe javët e fundit, por mendoj që frustrimi dhe irritimi nuk janë një zëvendësues i mirë politik. Ajo që mendoj se Shqipëria duhet të bëjë, është që të punojnë bashkë për të çuar procesin përpara, sepse ju e dini që do të shihet përsëri në 2020. Nuk është një JO finale.

SB: Ne e shohim në një mënyrë më skeptike, sepse Franca e sotme nuk është më Franca e djeshme dhe Franca e fillimit të shekullit XX, ku skenarin më të mirë ata as na konsideronin…

CH: Nëse shikoni se në çfarë rruge po shkon Bashkimi Evropian dhe se çfarë Franca po kalon, janë çaste shumë të vështira për BE. Kjo çështja e BREXIT i ka përfshirë të gjithë. Çështja e refugjatëve nga Siria dhe Afrika e Veriut është një problem i madh, veçanërisht për Francën. Nuk jam i habitur nga Franca në kuptimin që ata mendojnë se po shkojmë shumë shpejt, por nuk do ta merrja këtë si një vendim historik. Është diçka që ata janë të mbingarkuar nga këto faktorët e tjerë. Ne kemi parë shumë politikanë evropianë që duan që të përfundojë kjo punë dhe të sjellin Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Bashkimin Evropian. Ajo do të ndodhë. Dhe çka është më e rëndësishme për shqiptarët është që të mos e kthejnë këtë në një mëri, frustrim apo të mos hanë ushqime franceze. Duhet të kuptojnë që jo çdo moment do të jetë i favorshëm në këtë proces.

SB: Do të presim kombëtaren e futbollit të Francës më 17 nëntor këtu në Tiranë, datë që përkon të jetë dhe 75 vjetori i çlirimit të kryeqytetit. Shpresoj ta shfrytëzojmë këtë mundësi për t’i munduar ata.

CH: Ashtu do thosha dhe unë, t’i mundni dhe të mbetet në fushën e futbollit.

SB: Për fat të keq gjërat nuk janë “në fushën e futbollit” këtu në Ballkan. Shohim një rritje të influencës së Turqisë, Kinës, Iranit, por a duhet të shqetësohemi mbi atë që bën Rusia në këtë rajon? A duhet të frikësohemi?

CH: Jo, nuk mendoj që duhet të frikësoheni. Duhet të jeni vigjilentë dhe të shqetësuar, them po. Rusia ka problemet e saj dhe Rusia ka disa probleme demografike. Rusia po vepron duke deklaruar fuqi, çka nënkupton që kanë pak vështirësi në rrugën e shkurtër. Çështja është që të kuptojmë çfarë procesesh po udhëhiqen dhe të jemi vigjilentë. Vendi jonë mendoj që duhet të bëjë të njëjtën gjë.

SB: Jemi me fat që kemi në këtë periudhe, në kohe paqeje, kemi një të dërguar special të Amerikës në Rajon dhe një të dërguar special të Presidentit të SHBA, në një dialog shumë të vështirë mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe nuk do të isha i shqetësuar, sepse tashmë kemi një Bazë amerikane dhe një tjetër bazë ajrore në Kuçovë…

CH: Është bazë e NATO-s.

SB: Është bazë e NATO-s, por ne e dimë, NATO është SHBA, në të kundërt nuk do të ishte?

CH: Është një lajm shumë i mirë. Ju jeni në NATO dhe tani keni një shenjë të NATO-s brenda jush.

SB: Çështjet tona janë të sigurta, por kur vjen puna tek Rajoni, veçanërisht me çështjen e Kosovës ende e pazgjidhur, a ka një plan B për SHBA në këtë Rajon? Ne gjithmonë kemi menduar që me përfshirjen e 1991-shit të SHBA në Maqedoni, me trupa speciale në Veri, përfshirjen në çështjen e Kosovës dhe të qenurit partner strategjik i Shqipërisë, ne gjithmonë kemi menduar, madje disa prej nesh ende besojnë që SHBA e kanë një plan B për shqiptarët, në çdo rast.

CH: Unë nuk di të ketë një plan B!

SB: Bashkimi i shqiptarëve?

CH: Unë nuk besoj që SHBA mendon në ato kushte. Ajo çfarë Amerika ka dashur të bëjë, duhet të bëjë dhe besoj që do ta bëjë, është të mbrojë investimet që ne kemi bërë në këtë pjesë të Ballkanit. Pjesë e investimit është të bëjmë që shtetet të ndihen të sigurta me fqinjët, kufijtë, t’i sjellim brenda sistemit euro-atlantik. Procesi po shkon mirë. Unë natyrisht që jam i shqetësuar nga marrëdhëniet Kosovë-Serbi, e dinim që ashtu do të ishte. Askush që në vitin 1999 nuk ka thënë që gjithçka do të jetë mirë. Do të ketë probleme të vazhdueshme. Do të isha pak i kujdesshëm sa i përket ndryshimit të kufijve. E di që ka pasur disa interesa për të ndryshuar kufijtë. Është një vendim shumë shumë i madh dhe njerëzit duhet të mendohen mirë. Por, nëse shihni botën tani dhe shihni problemet në Siri, në Lindjen e Mesme, unë nuk e përfshij Ballkanin në atë kategori.

SB: Përsëri, kur flitet për ndryshimin e mundshëm të kufijve, jo vetëm është diskutuar, por është konfirmuar në nivelet më të larta. Kam pasur në programin tim Presidentin e Kosovës, zotin Thaçi, i cili foli hapur për këtë. Ai foli për 2-3 komuna në Kosovë që kanë shumicë serbe dhe ku autoriteti i Kosovës është i vogël, gati inekzistent. Dhe një vit më pas pamë që gjërat kanë ndryshuar. Ne nuk e dimë me siguri çfarë SHBA mendon për këtë, por me siguri dimë që kemi një të dërguar special, ambasadorin Grenell, i cili është i angazhuar direkt në këtë çështje. Ne dimë që SHBA do shumë që kjo çështje të zgjidhjet sa më shpejt të jetë e mundur, por nuk e dimë cilat janë opsionet…

CH: Nëse dikush do më kërkonte këshillën për këtë çështje, unë do t’i thosha: Ndryshimi i kufijve së pari janë të pranueshme bazuar në aktin final të Helsinkit të 1975, por njerëzit duhet të kuptojnë që ndryshimi i kufijve është një vendim i madh. Është një vendim shumë i rëndësishëm dhe nuk mund ta ndërmerrni atë vetëm ndërmjet politikanëve. Ju nuk mund të keni një politikan që të dalë me hartë dhe të vendosë vijën e të thotë këtu e duam kufirin. Kjo është diçka që duhet të pranohet nga njerëzit, sepse ndryshimi i kufijve ka qenë shkaku i shumë konflikteve në botë. Duhen të jenë shumë të kujdesshëm dhe duhet të pranohet nga të gjithë. Le të shohim çfarë zoti Grenell do të propozojë, do të shohim çfarë qytetarët e Kosovës do të duan, çfarë serbët duan, por unë do të isha shumë i kujdesshëm mbi këto gjëra.

SB: Sidomos nëse ka një vijë etnike të kufirit, sepse mund të hapë dhe çështje të tjera në Bosnje…

CH: Po, mund të hapë çështje të tjera. Këto janë çështje të vështira. Janë bërë më parë me sukses, por disa të tjera kanë rezultuar tërësisht të pasuksesshme. Duhet të tregohen shumë shumë të kujdesshëm dhe shpresoj që ambasadori Grenell ta kuptojë këtë.

SB: Siç ju e thatë, sot kemi dy të dërguar specialë për Ballkanin, një nga Departamenti i Shtetit dhe tjetri është direkt nga Presidenti i SHBA. A ka ndonjë dallim në çështje mes Departamentit të Shtetit dhe të dërguarit të Presidentit?

CH: Mendoj që duhet të pyesni ata për këtë gjë. Është pak e pazakontë që të shkohet nga 0 të dërguar special në 2 të dërguar specialë. Nuk jam i sigurt se si kjo funksionon. Di që zoti Palmer tashmë ka detyra për Ballkanin Perëndimor, por nuk jam i sigurt pse na duhen dy dhe jam i sigurt që duhet të sqarohet kjo gjë.

SB: A është kjo një shenjë e një situate kaotike në SHBA, lidhur me politikën e jashtme?

CH: Nuk do të thosha që është një shenjë konfuzioni, por mendoj që njerëzit janë konfuzë mbi të dhe do të ishte e nevojshme një shpjegim më i mirë.

SB: A ka një ndryshim në politikën e jashtme të Amerikës në tre vitet e fundit, që në momentin që zoti Trump u bë President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

CH: Nuk besoj që ka ndonjë ndryshim lidhur me Ballkanin, por ndryshimi i madh është që Presidenti do që të largojë trupat tanë nga ato që i quan “luftëra të përhershme” përfshi Afganistanin e Sirinë dhe kjo ka qenë një çështje e madhe në Amerikë. Presidenti sigurisht është sulmuar në shumë drejtime, përfshirë dhe çështjen e shkarkimit të tij. Por nuk besoj që Ballkani është në atë kategori dhe ju nuk do donit të ishit në atë kategori.

SB: Padyshim që nuk duam të jemi aty. Ju keni mbuluar dhe çështje të tjera si ato të Koresë së Veriut. Ju keni qenë i dërguari special në bisedimet me Penianin dhe pastaj ju keni një President Amerikan që është takuar dy herë me liderin Kim Yong Un. Si e shihni këtë?

CH: Ndryshim i madh. Unë isha përpjekur që ta shtyja Presidentin Bush që t’i dërgonte një letër Kim-it dhe përgjigjja e tij ishte jo, nuk do t’i çoj një letër. Unë kisha një situatë të ndryshme. Presidenti Trump doli dhe tha unë mund të flas me të dhe mund të jem vetë negociatori për çështjet bërthamore. Mendoj që dëshmon vështirësi, e qartë që Koreja e Veriut nuk bëri lëshime nga ato që Presidenti kishte në mendje. Sinqerisht jam pak i shqetësuar se ku do të shkojë kjo. Çdo herë që Presidenti takohet me dikë nga Koreja e Veriut është një lajm i mirë për Korenë e Veriut, por nuk jam i sigurt çfarë lajmi është për ne.

SB: Është një shqetësim edhe për ne, sepse ne ndjekim politikën e SHBA dhe çdo gjë që ndodh atje, është një lajm i madh këtu. Ju e dini, ne jemi shteti i 52-të i SHBA. Ne jemi pak të shqetësuar mbi atë se çfarë po ndodh në Uashington sot. Është një çështje e madhe apo…?

CH: Koha do ta tregojë, por kjo çështja e shkarkimit është një çështje e madhe dhe flet për abuzimet e presidentit me detyrën. Nëse ndiqni zhvillimet në Uashington, do t’ju thosha t’i ndiqnit me shumë vëmendje.

SB: Ju prisni që ai të shkarkohet?

CH: Janë dy etapa “akuza” dhe “bindja” dhe shumë njerëz që kanë numëruar votat janë të bindur që do të ketë një akuze të ngritur, por nuk është e qartë.

SB: Përfshirë edhe senatin?

CH: Nuk është e qartë, sepse duhen 66 senatorë, 2/3 e senatit për ta miratuar dhe tani Republikanët kanë 54 senatorë, asnjë nuk ka dalë për ta mbështetur akuzën. Kështu që do të jetë një proces i vështirë për demokratët për të arritur me sukses. Thënë kjo, shumë gjëra ndodhin çdo ditë.

SB: Duke u kthyer te Shqipëria. Siç ju thatë, kur unë ju pyeta për burgosjen e Fatos Nanos dhe ju thatë që nuk ka asnjë të vërtetë në të. Ne kemi ende në proces, në pjesën e fundit Reformën në Drejtësi, e cila ishte e mbështetur fort nga BE dhe së pari nga SHBA. Më kujtohet një histori që një nga miqtë tuaj të ngushtë në atë kohe, zoti Selami më tha, që ju ishit të habitur që patë në gjyq që një pjesëtar i stafit u bë gjykatës?

CH: Nuk e mbaj mend këtë bisedë.

SB: Por është e vërtetë, një pjesëtar i stafit u bë gjykatës. Dhe në fakt kjo tregon që ne ndryshuam gjyqtarët pas 1992-shit, por i zëvendësuam me njerëz të papërshtatshëm dhe shkalla e padrejtësisë dhe korrupsionit në sistemin e drejtësisë është shumë e lartë. Tani kemi procesin e vettingut, ku shumë gjyqtarë dhe prokurorë janë nxjerrë nga sistemi për shkak të akuzave për korrupsion dhe ne jemi sërish si në vitin 1992 me pritshmëri të mëdha që tani ky sistem i ri drejtësie do të sjellë drejtësi në këtë vend. SHBA ka thënë kështu, a duhet t’i besojmë përsëri?

CH: Reforma e sistemit të drejtësisë është një punë me kohë të plotë, është një proces shumë i vështirë. Një numër vendesh e kanë bërë, por ka dhe vende të tjera që e kanë të përfshirë politikën. Nuk mund të them se çfarë po ndodh këtu por është shumë e vështirë ta bësh dhe të sigurohesh që të gjithë ta pranojnë. Sepse ka shumë humbës në këtë lojë, po aq sa fitues. Është një gjë e domosdoshme për tu bërë dhe është e rëndësishme që të vendoset ndarja e pushteteve, duke lejuar drejtësinë që të kenë lirinë e tyre dhe jo të ndikohen nga politika dhe ky është një nga proceset më të vështira për një demokraci. Unë dua të përgëzoj Shqipërinë për këtë që po bën, nuk do të shtoj asgjë për ta kritikuar atë.

SB: Ne kemi pasur nga Departamenti i Shtetit 3 raste të deklarimit të “persona non-grata” në Amerikë, pasi sipas asaj që kane deklaruar, janë të përfshirë në raste korrupsioni. Mendoni që kjo ndihmon në vendosjen e një sistemi të lirë dhe të ndershëm drejtësie?

CH: Unë nuk mund të flas për ato raste, nuk i njoh ato çështje. Ajo që besoj është që korrupsioni dhe probleme të lidhura me të, kanë të bëjnë me institucionet. Më tregoni institucione të dobëta, ju tregoj korrupsionin. Ajo që mund të them është që Shqipëria është duke kaluar përmes kësaj, shumë vende po kalojnë, është një nga ato çështjet e vështira për të mbrojtur demokracinë.

SB: A keni takuar ndonjë nga politikanët që kanë qenë gjatë viteve ‘90?

CH: Nuk kam takuar, por jam i sigurt që do të takoj.

SB: Cilin nuk do donit të mos e takonit?

CH: Nuk e di. Disa do doja t’i takoja vetëm për kortezi disa për të parë se çfarë po bëjnë tani.

SB: Fatos Nano?

CH: Nuk e di nëse është këtu, do ishte bukur.

SB: Një shaka e bukur në fund, sepse ndonjëherë edhe ne nuk e dimë nëse zoti Nano është këtu apo jo. Zoti Hill shumë faleminderit, ishte një kënaqësi. Ka shumë çështje për të cilat do doja të flisnim, por koha fluturon. Ju uroj gjithë të mirat dhe ju falënderoj për gjithçka që keni bërë për këtë vend dhe për shqiptarët. Faleminderit!

CH: Faleminderit shumë! /Realstory.al/



Skip to toolbar